Nesër protestë, kryetari i LSM: Edhe në 2022 përmes protestave dhe grevës arritëm rritjen e pagës minimale në RMV
Rritja prej 12.000 denarësh neto është ajo që punëtorët e kanë kërkuar nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (SSM) në anketën e fundit që kemi realizuar në dhjetor, në një mostër prej 1.600 të anketuarish, thotë kryetari i SSM-së, Sllobodan Trendafilov për 360 Gradë, lidhur me kërkesën që paga minimale të rritet për 200 euro, pra nga 397 eurot aktuale në 600 euro, transmeton Portalb.mk.
Ai theksoi se janë të vetëdijshëm që qeveria aktuale i pëlqen anketat dhe se e gjithë politika udhëhiqet ekskluzivisht sipas tyre, ndaj edhe ata kanë vendosur të ndjekin këtë qasje. Madje, 99,5 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se, nëse paga minimale nuk rritet në 600 euro, janë të gatshëm të mbështesin protesta dhe organizimin e një greve të përgjithshme.
Trendafilov, thotë se janë përpjekur përmes Këshillit Ekonomik-Social t’u tërheqin vëmendjen institucioneve kompetente për këto trende, por nga përfaqësuesit e qeverisë dhe të punëdhënësve kanë hasur në përqeshje, me arsyetimin se analiza e tyre nuk ishte përgatitur mbi bazë të të dhënave dhe institucioneve relevante.
Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë thotë gjithashtu se Ligji për pagën minimale në vitin 2022 është ndryshuar në të njëjtën mënyrë, përmes protestave dhe grevave sepse edhe Qeveria e atëhershme kishte një qasje injoruese ndaj punëtorëve, njësoj si ajo aktuale.
“Dhe arritëm përmes protestave dhe grevave, nuk e di nëse ju kujtohet, por para Odës Ekonomike atëherë morëm vendim për grevë të përgjithshme dhe shkuam në seancë të Këshillit Ekonomik-Social, ku prisnim që edhe punëdhënësit edhe Qeveria të shtrinin dorën për përmirësimin e standardit të punëtorëve, dhe arritëm të fitojmë rreth 3.000 denarë rritje të pagës minimale në atë periudhë”, tha Trendafilov..
Lidhja e Sindikatave të RMV-së (LSM) nesër nga ora 17:00, në Shkup organizon protestë, në të cilën do ta përsërisë kërkesën për pagë minimale prej 600 eurosh dhe rritje të të gjitha pagave të tjera për 100 euro.
Protesta do të fillojë para ‘Rabotniçki dom’ (ndërtesa e LSM-së në rr.’Mirçe Acev’ nr.6) në Shkup, pas së cilës vazhdon para Parlamentit, Odës Ekonomike dhe Qeverisë së Maqedonisë (duke lëvizur përgjatë ‘Mirçe Acev’, ‘Filipit të Dytë’, ’11 Tetori’, ‘Dame Gruev’, Bulevardi ‘VMRO’ dhe duke përfunduar në Bulevardin ‘Ilinden’ para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë).