‘Shame and Money’ në Sundance: Pjesë e filmit edhe Teuta Ajdini Jegeni dhe Refet Abazi nga Maqedonia e Veriut

Filmi i regjisorit Visar Morina, “Shame and Money (Shaban dhe Hatixhe)”, shfaqi premierën botërore në Sundance Film Festival në Park City Utah. Filmi u prit me duartrokitje të gjata të njëpasnjëshme nga publiku dhe me kritika pozitive ndërkombëtare. The Film Verdict e përshkroi “Shame and Money” si “një dramë të fuqishme dhe observuese, që reflekton mbi dinjitetin njerëzor nën presionet e kapitalizmit të egër”, duke lartësuar realizmin e thellë emocional dhe qasjen autentike, shkruan Portalb.mk.

Shkrimet e para nga Next Best Picture vlerësojnë filmin si “një analizë emocionale të shkatërrimit të shpirtit njerëzor nën peshën e presionit ekonomik”. Reagimet e tjera nga kritikë dhe platforma filmike online theksojnë regjinë e përmbajtur, realizmin social dhe performancat e forta të aktorëve, duke e cilësuar filmin si një nga titujt më të diskutuar dhe rezonues të këtij edicioni të Sundance Film Festival.

Aktorja Teuta Ajdini Jegeni për Portalb.mk theksoi se për të nuk ka role të vogla apo të mëdha, pasi vlera e një roli matet me ndjesinë që i jep dhe me mënyrën se si e formëson si artiste.

“Për mua është vërtet kënaqësi, sepse edhe unë kam dhënë mundin tim. Me prodhimin e shumë filmave cilësorë në kinematografinë e Republikës së Kosovës, jam shumë mirënjohëse që ne, aktorët nga Maqedonia e Veriut, nuk e ndjejmë aspak se nuk u përkasim projekteve të tyre. Përkundrazi, sa herë që kanë nevojë për profilet tona si aktorë, jemi aty të barabartë. Në këtë projekt luaj nënën e njërit prej roleve kryesore, të interpretuar nga Alban Ukaj, aktori i mirënjohur shqiptar. E dija që do të ishte një staf i fortë dhe një regjisor i njohur si Visar Morina. Edhe pse roli nuk është shumë i madh, prezenca ime u mirëprit dhe ishte e qëlluar. Unë vërtet nuk i ndaj rolet në të vogla apo të mëdha sepse ajo që e bën një rol të vlefshëm është ndjesia që të jep dhe mënyra si të formëson si artiste”, tha Ajdini Jegeni.

“Shame and Money” trajton historinë e një familjeje kosovare e cila, pas humbjes së jetesës në fshat, detyrohet të zhvendoset në Prishtinë në kërkim të mbijetesës, dinjitetit dhe një vendi në shoqëri. Përmes kësaj drame sociale, filmi sjell në vëmendje tema universale si turpi, paratë, përplasja me realitetin urban dhe sfidat e tranzicionit shoqëror.

Në role kryesore të filmit luajtën aktorët: Astrit Kabashi, Flonja Kodheli, Kumrije Hoxha, Fiona Gllavica, Alban Ukaj, Aria Shala, Riga Morina, Melika Gashi, Selman Lokaj, Teuta Ajdini Jegeni, Abdinaser Beka, Rebeka Qena, Tristan Halilaj, Basri Lushtaku, Refet Abazi, Besnik Krapi dhe Eshref Durmishi.

Filmi është mbështetur nga disa institucione dhe organizata.