Sindikata e policisë në Maqedoninë e Veriut kërkoi rritje të pagave për 15 për qind

 Sindikata e policisë kërkon rritje të pagave për 15 për qind, duke filluar nga janari. Kryetari i Sindikatës, Orce Kocevski sot në deklaratë për media tha se paga themelore e një polici në këtë moment është 16.332 denarë, raporton MIA.

“Rritja e pagave për 15 për qind, duke filluar nga janari i vitit 2024 të jetë nga buxheti i Ministrisë së Punëve të Brendshme, për çka vlerësojmë se MPB-ja është e aftë për rritjen e pagave nga buxheti i saj, respektivisht para për paga më të larta në këtë moment ka”, tha Kocevski, duke shtuar se nuk heqin dorë as nga kërkesa një euro, një pikë.

Në pyetjen se cili do të jetë hapi i ardhshëm i Sindikatës nëse nuk plotësohet kjo kërkesë e tyre, Kocevski ka shfaqur shpresë se ministri i Punëve të Brendshme do ta kuptojë kërkesën dhe duke filluar nga ky muaj, do ta rritë pagën minimum për 15 për qind, por nëse kjo nuk ndodh, nuk përjashtohet organizimi i protestës.

Në pyetjen e gazetarëve nëse është shkelur siguria e nëpunësve policorë, të cilët, siç u tha, druajnë në terren të përdorin shkopinj gome në vetmbrojtje, Kocevski tha se Kontrolli i brendshëm i MPB-së shpesh herë pabazë suspendon nëpunës policorë dhe me këtë humbet besimi tek ata. Zgjidhja për këtë problem, sipas Kocevskit, është riorganizimi i plotë i MPB-së dhe kthimi i profesionalizmit në polici.

Ndryshe, në Buxhetin e vitit 2024, janë parashikuar 10% më shumë mjete për pagat e punonjësve aktualë në sektorin publik, krahasuar me vitin e kaluar, por jo edhe për funksionarët. Ministri i Financave Fatmir Besimi tha se nuk ka buxhet të paraparë për rritje shtesë të pagave të 1,260 funksionarëve, të cilët në maj të 2023 patën rritje prej 78%.

Ministri për Financa në Maqedoninë e Veriut, Fatmir Besimi, në muajin dhjetor të vitit të kaluar ka sqaruar që në buxhetin për vitin 2024 është planifikuar rritje e mjeteve për 10 përqind për rritjen e rrogave në sektorin publik.

Më 14 nëntor, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar propozim-buxhetin për vitin 2024, ashtu që kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri i financave, Fatmir Besimi, kanë paralajmëruar se janë siguruar mjete për rritje të pensioneve dhe rrogave. Ky propozim-buxhet ishte miratuar edhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.