Dodiku kërcënoi sërish me shkëputje nga Bosnja: S’na duhet ulëse në OKB

Presidenti i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, Milorad Dodik, ka kërcënuar sërish me shkëputje të serbëve nga BeH-ja duke thënë se nuk kanë nevojë për ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, raporton Koha.net. Ai ka thënë se nuk e njeh përfaqësuesin e lartë.

Para gazetarëve, Dodik ka thënë se ulësja në OKB nuk është e rëndësishme, kur është pyetur nëse ai do ta kishte përkrahjen për pavarësim.

“RS-ja ka nivel të lartë pavarësie. Hipotetikisht, RS-ja s’duhet të ketë ulëse në OKB, ka të tjerë që e kanë”, ka thënë ai.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës të martën kanë reaguar kundër festimit të “ditës së Republikës Sërpska” që është vlerësuar jokushtetuese. Ndaj deklaratës së fundit të SHBA-së, Dodiku ka reaguar ashpër.

“Është ndërhyrje e ambasadorit amerikan. Çfarë ka të bëjë ai me këtë, kush dreqi është ai?” ka deklaruar Dodik, transmeton “klix”.

Dodik vazhdimisht ka bërë thirrje për shkëputje nga Bosnja e bashkim në “Serbinë e madhe”. Ai është sanksionuar nga SHBA-ja ndërsa është ndër udhëheqësit e rrallë në Evropë që ka pasur takime me presidentin rus, Vladimir Putin që nga nisja e luftës në Ukrainë.

Një ditë më parë, dy avionë ushtarakë amerikanë fluturuan mbi Bosnjë në një shfaqje të mbështetjes për tërësinë e vendit ballkanik përballë politikave ndarëse të udhëheqësit pro-rus të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik.