Sindikata e gazetarëve solidarizohet me civilët dhe gazetarët në Gaza: RMV të mos heshtë për gjenocidin që ndodh atje

Në një kohë kur bota po përjeton një nga krizat më të rënda humanitare të shekullit tonë, heshtja ndërkombëtare po i lë të pambrojtur civilët dhe gazetarët në Rripin e Gazës. Sulmet e vazhdueshme, bllokimi i informacionit dhe vdekja e dhjetëra gazetarëve përbëjnë një alarm për të gjithë ata që besojnë në të drejtat e njeriut dhe lirinë e medias. Në këtë kontekst, Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias i është drejtuar autoriteteve shtetërore të Maqedonisë së Veriut me kërkesën për reagim konkret dhe qëndrim të qartë moral dhe diplomatik. Ata kërkojnë që vendi të mos heshtë ndaj këtij gjenocidi, transmeton Portalb.mk.

“I nderuar, kryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Ministër i Punëve të Jashtme, Anëtarë të Parlamentit të Republikës së Maqedonisë, ju drejtohemi si përfaqësues të Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias në një kohë kur bota po përjeton një nga katastrofat më të mëdha humanitare. SPGPM solidarizohet me civilët në Gaza, si dhe me kolegët e saj – gazetarë dhe punonjës të medias, të cilët pavarësisht kushteve të tmerrshme po përpiqen të bëjnë punën e tyre dhe pavarësisht faktit se po vdesin çdo ditë, për të cilat nuk ka asnjë reagim vendimtar nga publiku botëror. Maqedonia për fat të keq ka treguar përmbajtje që nuk duhet të jetë karakteristikë e një shteti social dhe të ndershëm që vetë po lufton për respektimin e të drejtave të njeriut të qytetarëve të saj. Ne kërkojmë që institucionet kompetente shtetërore të përdorin të gjitha instrumentet e tyre diplomatike, të reagojnë dhe të ndihmojnë në parandalimin e katastrofës humanitare me përmasa të papara që ka ndodhur në Gaza për një vit e gjysmë të fundit”, thuhet në reagimin e SPGPM-së.

Si organizatë gazetareske, ata besojmë se Republika e Maqedonisë nuk duhet të heshtë për gjenocidin dhe fshehjen e së vërtetës për krimet, veçanërisht pasi të paktën 187 gazetarë në rajonin e Gazës kanë vdekur deri në këtë moment, dhe e gjithë hapësira po mbyllet për mediat që duhet të përcjellin të vërtetën për vuajtjet e një numri të madh civilësh. Ata gazetarë që mbijetuan janë deri në pikën e kolapsit fizik që nuk i lejon ata të kryejnë detyrën e tyre – të përcjellin imazhe dhe informacione nga vendi i katastrofës humanitare të paparë. Në të njëjtën kohë, Izraeli po ndalon edhe hyrjen e gazetarëve të huaj, gjë që errëson më tej pamjen e asaj që po ndodh në zonën e Gazës.

“Ne kërkojmë që Maqedonia të mbështesë publikisht dhe zyrtarisht pezullimin e marrëveshjes midis BE-së dhe Izraelit, evakuimin e menjëhershëm të atyre që janë në rrezik të menjëhershëm për jetën e tyre, kërkesat ndërkombëtare për leje që gazetarët e huaj të hyjnë në Rripin e Gazës, mbrojtjen e gazetarëve vendas dhe bashkimin me thirrjet për një hetim ndërkombëtar për urinë sistematike si krim lufte.

SPGPM me anë të kësaj i bashkohet reagimit të IFJ (Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve) dhe EFJ (Federatës Evropiane të Gazetarëve), si dhe shumë sindikatave dhe shoqatave të tjera kombëtare të gazetarëve që tashmë i kanë dërguar apel Bashkimit Evropian dhe autoriteteve kombëtare duke kërkuar që BE të rishikojë qëndrimin e saj ndaj Izraelit.

Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias inkurajon autoritetet maqedonase të bashkohen me reagimin e përgjithshëm botëror dhe të ndihmojnë në parandalimin e krimeve të luftës në fillim të shekullit të 21-të”, thuhet në reagim.

Kujtojmë se deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut nuk pranuan të debatojnë për gjendjen humanitare në Gaza.

Nga 93 deputetë të pranishëm në seancën e 24 korrikut në Kuvend, vetëm 16 votuan në favor të zhvillimit të debatit për ndihmë humanitare për Gazën. 

Deputeti i Frontit Evropian, Skender Rexhepi Zejdi propozoi që në rendin e ditës të kthehej rezoluta për ndihmë humanitare për palestinezët në Gaza.  

Ai e argumentoi propozimin e tij me urinë ekstreme që po përjetojnë afro dy milionë palestinezë. 

Por, vetëm 16 deputetë votuan pro, pas çka, nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshoski konstatoi se propozimi nuk u miratua. 

Kundër këtij vendimi kanë reaguar shumë qytetarë dhe aktivistë nëpër rrjetet sociale, ata e kanë konsideruar votimin si të turpshëm dhe i kanë quajtur deputetët si të papërgjegjshëm.

Maqedonia e Veriut më 13 qershor 2025 abstenoi në rezolutën e OKB-së e cila kërkonte armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe qasje të pakufizuar për të shpërndarë ushqimin e nevojshëm urgjentisht për dy milionë palestinezë që jetojnë në kushte të tmerrshme për shkak të agresionit izraelit.

Edhe më 8 prill 2025, në fund të sesionit të tij të 58-të, Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut miratoi dy rezoluta të paraqitura nga Shteti i Palestinës, duke riafirmuar paligjshmërinë e praktikave koloniale izraelite në territorin e pushtuar palestinez, duke përfshirë Jeruzalemin Lindor, dhe duke përsëritur të drejtën e Palestinës për vetëvendosje. Vetëm 2 shtete ishin kundër Maqedonia e Veriut dhe Çekia.

Maqedonia e Veriut, edhe në shtator të viti 2024 pati abstenuar rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së  që kërkonte që Izraeli t’i japë fund prezencës së tij të paligjshme në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar brenda një viti.

Kujtojmë që Maqedonia e Veriut, votoi e përmbajtur edhe në tetor 2023 në miratimin e rezolutës me të cilën bëhej thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës. Rezoluta e cila ishte propozim i Jordanit, u miratua me 120 vota “për”, me 14 “kundër” dhe 45 “të përmbajtur”.

Izraeli e ka nisur luftën gjenocidale në Gazë në përgjigje të sulmit nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor 2023. Që atëherë, mbi 59.000 palestinezë përfshirë gra dhe fëmijë janë vrarë barbarisht nga forcat izraelite.