Deputetët e RMV-së refuzuan të debatojnë për gjendjen humanitare në Gaza 

Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut nuk kanë pranuar të debatojnë për gjendjen humanitare në Gaza, transmeton Portalb.mk

Nga 93 deputetë të pranishëm në seancën e sotme në Kuvend, vetëm 16 votuan në favor të zhvillimit të debatit për ndihmë humanitare për Gazën. 

Deputeti i Frontit Evropian, Skender Rexhepi Zejdi propozoi që në rendin e ditës të kthehej rezoluta për ndihmë humanitare për palestinezët në Gaza.  

Ai e argumentoi propozimin e tij me urinë ekstreme që po përjetojnë afro dy milionë palestinezë. 

Por, vetëm 16 deputetë votuan pro, pas çka, nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshoski konstatoi se propozimi nuk u miratua. 

Kundër këtij vendimi kanë reaguar shumë qytetarë dhe aktivistë nëpër rrjetet sociale, ata e kanë konsideruar votimin si të turpëshëm dhe i kanë quajtur deputetët si të papërgjegjshëm.

Maqedonia e Veriut më 13 qershor 2025 abstenoi në rezolutën e OKB-së e cila kërkonte armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe qasje të pakufizuar për të shpërndarë ushqimin e nevojshëm urgjentisht për dy milionë palestinezë që jetojnë në kushte të tmerrshme për shkak të agresionit izraelit.

Edhe më 8 prill 2025, në fund të sesionit të tij të 58-të, Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut miratoi dy rezoluta të paraqitura nga Shteti i Palestinës, duke riafirmuar paligjshmërinë e praktikave koloniale izraelite në territorin e pushtuar palestinez, duke përfshirë Jeruzalemin Lindor, dhe duke përsëritur të drejtën e Palestinës për vetëvendosje. Vetëm 2 shtete ishin kundër Maqedonia e Veriut dhe Çekia.

Maqedonia e Veriut, edhe në shtator të viti 2024 pati abstenuar rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së  që kërkonte që Izraeli t’i japë fund prezencës së tij të paligjshme në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar brenda një viti.

Kujtojmë që Maqedonia e Veriut, votoi e përmbajtur edhe në tetor 2023 në miratimin e rezolutës me të cilën bëhej thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës. Rezoluta e cila ishte propozim i Jordanit, u miratua me 120 vota “për”, me 14 “kundër” dhe 45 “të përmbajtur”.