Siljanovska-Davkova: Avioni ynë është më i vogli dhe më i vjetri në rajon, kolegët e quajnë avioni i vëllezërve Wright

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova deklaroi se avioni qeveritar i vendit është më i vogli dhe më i vjetri në rajon, kështu që kolegët e saj nga rajoni e quajnë atë “avioni i vëllezërve Wright”, transmeton Portalb.mk.

“Çfarë mund të them? Ja, t’ju bëj të qeshni. Kolegët e mi presidentë në rajon e quajnë avionin qeveritar avioni i vëllezërve Wright, sepse është më i vogli dhe më i vjetri”, tha presidentja.

Sipas saj dhe kolegëve të saj, është më racionale dhe më e lirë të kesh një aeroplan më të madh.

“Kolegët e mi presidentë në rajon thonë se është më racionale të kesh aeroplan më të madh, sepse atëherë më shumë njerëz mund të udhëtojnë me një fluturim dhe të kthehen kur të vendosin”, tha Siljanovska-Davkova.

Presidentja shtoi se avioni aktual ndonjëherë lejon kryerjen më të lirë të detyrave zyrtare sesa fluturimet komerciale, por tha gjithashtu se hapësira dhe mosha e kufizuar përfaqësojnë një hendikep serioz, veçanërisht për shkak të pamundësisë për të udhëtuar me delegacionin dhe gazetarët.

Derisa opozita dhe qeveria në Maqedoninë e Veriut ‘grinden’ për (keq)përdorimin dhe blerjen e avionit të ri qeveritar, pavarësisht distancës së afërt tokësore, ministri i Jashtëm Timço Mucunski udhëtoi me avionin shtetëror nga Shkupi në Tiranë për Forumin Ekonomik mbi Korridorin 8. Ministria e Jashtme arsyetohet se avioni u përdor për shkak të agjendës së ngjeshur.

Ndryshe, pas akuzave të LSDM-së, Qeveria dje informoi se aeroplani qeveritar është përdorur ekskluzivisht në përputhje me rregulloret dhe aktet për përdorimin e tij dhe se nuk ka pasur asnjë formë abuzimi.

Ndryshe, në periudhën e kaluar, LSDM ka reaguar ndaj përdorimit të aeroplanit qeveritar, duke theksuar se Mickoski udhëtoi me aeroplanin qeveritar për pushime në Detin Adriatik, dhe nuk ka para për të rritur pagën minimale në 600 euro për punëtorët.

“Kryeministri po fluturon për në Adriatik me aeroplanin qeveritar, dhe nuk ka para për minimumin 600 euro”, thonë LSDM

Drejtori i Shërbimit të Çështjeve të Përgjithshme dhe të Përbashkëta (SOJR), Ivica Tomovski, njoftoi së fundmi se Qeveria po shqyrton gjetjen e një mënyre për të siguruar një aeroplan të ri qeveritar sepse, siç tha ai, ai aktual është i prirur për riparime të shpeshta dhe është shumë i vogël për t’u përdorur për një delegacion të mirëfilltë.