Mickoski: Do të tërhiqem nga ideja për blerjen e një aeroplani të ri qeveritar

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, foli sot me gazetarët në lidhje me blerjen e një aeroplani qeveritar dhe luftën kundër ekonomisë informale. Kryeministri mohoi akuzat e LSDM-së opozitare për keqpërdorim të aeroplanit qeveritar, transmeton Portalb.mk.

Mickoski tha se gjatë këtyre viteve në pushtet, e ka përdorur aeroplanin katër herë, në përputhje me dispozitat ligjore.

Mickoski paralajmëroi se do të tërhiqen nga ideja e blerjes së një aeroplani të ri qeveritar, megjithëse ekspertët e kanë sugjeruar këtë, ndërsa siç thekson ai, edhe opozita është pajtuar se ka nevojë për një aeroplan të ri qeveritar.

Mickoski foli edhe për ekonominë në vend dhe luftën kundër ekonomisë informale.

“Politika jonë është e qartë – financa publike të qëndrueshme dhe një standard jetese i mbrojtur. Ne do të vazhdojmë me disiplinë në të ardhura, përgjegjësi në shpenzime dhe ndjeshmëri ndaj nevojave reale të qytetarëve”, tha kryeministri Hristijan Mickoski sot në fjalimin e tij në konferencën vjetore “Formalizimi i ekonomisë informale: Përmes bashkëpunimit drejt suksesit”.

Lufta kundër ekonomisë informale, theksoi kryeministri, nuk është fushatë, është një proces, kontrolli i çmimeve nuk është populizëm, është mbrojtja e qytetarëve.

Kujtojmë televizioni Telma raportoi se Shkup – Budapest është linja në të cilën aeroplani qeveritar ka fluturuar më shumë. Shtatë herë ka fluturuar drejt kryeqytetit të Hungarisë në periudhën pasi VMRO – DPMNE formoi qeverinë në qershor 2024, duke e përmbyllur në dhjetor 2025.

Nga ministrat, ministri i Transportit dhe Lidhjeve dhe zëvendëskryeministri, Aleksandar Nikollovski, ka qenë më shumë në ajër, ndërsa ka fluturuar më shpesh drejt Budapestit. Ai e ka përdorur aeroplanin 11 herë, në gjashtë raste prej të cilave kanë qenë atje.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Telma nga Shërbimi i Punëve të Përgjithshme dhe të Përbashkëta në Qeveri, ka pasur një rast kur aeroplani qeveritar është dërguar për servis në qytetin gjerman të Nurembergut më 12 janar të vitit të kaluar. Nga atje, është dërguar në Budapest, e ka marrë Nikollovskin dhe është kthyer në Shkup. Ministri i Transportit ka fluturuar edhe për në Londër, ndërsa ish-zëvendëskryeministri i Ekonomisë Vlladimir Peshevski ishte gjithashtu pjesë e delegacionit. Ai ishte gjithashtu në Pragë, Vjenë, dhe ka fluturuar në linjën Shkup – Stamboll dhe anasjelltas, por jo direkt në Shkup, por së pari është ndalur në Ohër.

Vetëm presidentja Gordana Siljanovska Davkova e ka përdorur aeroplanin qeveritar më shumë se Nikollovski. Ajo fluturoi 13 herë. Ishte në Tivat, Podgoricë, Tiranë, dhe kishte fluturime edhe për në Romë, Stamboll, Kopenhagen.

Ndërkohë Qeveria dje ka reaguar duke thënë se aeroplani qeveritar u përdor në përputhje me rregulloret dhe se opozita përhap hipokrizi dhe sensacionalizëm.

“Ne publikisht dhe pa mëdyshje theksojmë se avioni qeveritar u përdor ekskluzivisht në përputhje me rregulloret dhe aktet për përdorimin e tij, në përputhje me Rregulloren mbi kushtet dhe mënyrën e përdorimit të tij. Çdo përdorim regjistrohet, dokumentohet dhe i nënshtrohet kontrollit institucional. Asnjë aktivitet nuk është jashtë procedurave të përcaktuara, as nuk ka ndonjë formë abuzimi. Është veçanërisht simptomatike që opozita injoron me vetëdije dimensionin humanitar dhe shtetëror të përdorimit të avionit në situata emergjente. Publiku e di mirë se i njëjti avion u vu në veprim për të shpëtuar jetë njerëzore, përfshirë gjatë transportit dhe koordinimit të aktiviteteve që lidhen me të lënduarit nga zjarri tragjik në Koçan”, thonë nga Qeveria.

Ata shtojnë se është shqetësuese që e njëjta strukturë politike që akuzon sot “përdori avionin qeveritar në të kaluarën për udhëtime që mbetën thellësisht të diskutueshme në publik, përfshirë fluturimet për në Nish, në atë kohë pamë foto dhe deklarata nga udhëtimet në avionin qeveritar që manipuluan publikun”.