Në kulmin e debatit për avionin shtetëror, Mucunski fluturoi nga Shkupi drejt Tiranës
Derisa opozita dhe qeveria në Maqedoninë e Veriut ‘grinden’ për (keq)përdorimin dhe blerjen e avionit të ri qeveritar, pavarësisht distancës së afërt tokësore, ministri i Jashtëm Timço Mucunski udhëtoi me avionin shtetëror nga Shkupi në Tiranë për Forumin Ekonomik mbi Korridorin 8. Ministria e Jashtme arsyetohet se avioni u përdor për shkak të agjendës së ngjeshur, shkruan Portalb.mk.
Portalbi mësoi se ministri i Jashtëm në Tiranë udhëtoi me avionin shtetëror, ndonëse nga delegacioni i vendit nuk u publikua ndonjë fotografi apo informacion për përdorimin e avionit.
Ndër fotografitë e pakta që figurojnë në rrjetet sociale është ajo nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ku zëvendësministrja Vilma Premti së bashku me ambasadorin Denion Meidani e pritën Mucunskin në aeroport. Aty shihet se Mucunksi arriti me avionin qeveritar të Maqedonisë së Veriut.

Në ndërkohë Mucunski ka publikuar një foto gjatë mbërritjes në Tiranë , por e ka prerë pjesën ku duket avioni qeveritar.

Ndonëse distanca tokësore midis Shkupit dhe Tiranës është e afërt, rreth 219 kilometra nëse shkohet nga Qafë Thana ndërsa rreth 332 nëse udhëtohet përmes Kosovës, në të dy rastet udhëtimi merr përafërsisht katër deri në katër orë e gjysmë.
Ndërkaq përdorimi i avionit shtetëror në këtë rast ka harxhime dukshëm më të larta se sa udhëtimi me vetura zyrtare apo transport tjetër alternativ tokësor.
Por, nga Ministria e Jashtme dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut arsyetohen.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme për Portalb.mk thanë se avioni është përdorur pasi sipas agjendës së përcaktuar fillimisht, ishte paraparë që ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunksi, menjëherë pas kthimit nga Tirana ta presë dhe të jetë mikpritës i ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Sllovakisë, Juraj Blanar.
“Agjenda parashihte interval jashtëzakonisht të shkurtër kohor për qëndrimin dhe kthimin nga Tirana, si dhe për realizimin e detyrimeve të radhës në Shkup, për shkak të së cilës ishte planifikuar përdorimi i avionit qeveritar si zgjidhja më e përshtatshme nga aspekti i efikasitetit kohor dhe respektimit të obligimeve që lidhen me delegacionin sllovak. Vizita e ministrit sllovak u anulua në momentin e fundit, një ditë para realizimit të saj, për shkak të udhëtimit të tij urgjent në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në emër të kryeministrit të Republikës së Sllovakisë, Robert Fico”, thanë nga Ministria e Jashtme.
Ata shtuan se duke pasur parasysh se avioni ishte rezervuar paraprakisht dhe shpenzimet tashmë ishin mbuluar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, vizita në Tiranë u realizua sipas planit fillestar.
Nga Ministria e Jashtme e Sllovakisë e konfirmuan për Portalb.mk se vizita zyrtare (18–20 shkurt 2026) e ministrit të jashtëm Juraj Blanar, u shty pas një ftese që iu bë Kryeministrit Robert Fico për të marrë pjesë në seancën inauguruese të Bordit të Paqes të Donald Trump në Uashington më 19 shkurt 2026 ku ministri Blanar mori pjesë në këtë ngjarje në emër të Kryeministrit Fico.
“Autoritetet e Maqedonisë së Veriut u njoftuan më 17 shkurt 2026, menjëherë pasi z. Robert Fico, Kryeministër i Sllovakisë, i kërkoi ministrit J. Blanár të marrë pjesë në ngjarjen e lartpërmendur”, thanë nga Ministria e Jashtme Sllovake.
Vizita e delegacionit sllovak ishte planifikuar të arrinte në Shkup më 18 shkurt rreth orës 16:00.
Nga Qeveria duke mos dhënë detaje, u arsyetuan se përdorimi i avionit qeveritar për udhëtime zyrtare përcaktohet në përputhje me procedurat e vendosura, vlerësimet e sigurisë dhe nevojat operative që lidhen me kryerjen e detyrave zyrtare.
“Në praktikë, aktivitetet ndërkombëtare dhe agjendat protokollare shpesh kërkojnë organizimin e udhëtimit sipas standardeve dhe afateve të përcaktuara diplomatike, të cilat jo gjithmonë përputhen me opsione alternative logjistike”, thanë nga Qeveria.

Vizita në Tiranë me avionin shtetëror erdhi gjatë kulmit të tensioneve politike midis opozitës dhe qeverisë, pikërisht për avionin shtetëror. LSDM-ja opozitare kritikoi qeverinë e cila planifikonte të blejë avion të ri qeveritar si dhe mënyrën e përdorimit të atij aktual, ndërsa qeveria më pas vendosi të tërhiqet nga blerja e avionit të ri. Ndërkaq, presidentja Gordana Siljanovska Davkova u ankua për vjetërsinë e avionit qeveritar, që shfrytëzohet nga krerët e shtetit dhe qeveria, presidentja tha se shteti ka nevojë për një avion tjetër më të madh zyrtar, në mënyrë që në ngjarje të ndryshme, të merren me vete dhe gazetarët.