Shtohen vetot në BE: Orbani do të bllokojë Ukrainën në negociatat e anëtarësimit?

Kryeministri hungarez Viktor Orbán, një ditë para fillimit të Samitit të liderëve të vendeve anëtare të BE-së, përsëriti edhe një herë qëndrimin e tij se Hungaria do të bllokojë fillimin e negociatave për anëtarësimin e Ukrainës në BE, raporton Guardian, transmeton Portalb.mk.

“Bashkimi Evropian po përgatitet të bëjë një gabim të tmerrshëm dhe duhet t’i pengojmë bëjnë këtë – edhe nëse 26 duan ta bëjnë këtë, ndërsa vetëm ne jemi kundër”, tha Orbán në një intervistë për mediat hungareze.

Viktor Orbán përsëriti qëndrimin e Hungarisë se nëse duam t’i japim mbështetje Ukrainës në formën e një sinjali gjeopolitik, atëherë le ta bëjmë atë, por jo si anëtarësim në BE.

Lideri hungarez pretendon se hapja e rrugës për anëtarësimin e Ukrainës do të minonte besueshmërinë e BE-së.

Orban thotë se Hungaria do të insistojë që çështja e anëtarësimit të Ukrainës në BE të hiqet nga rendi i ditës. Në vend të kësaj, thotë ai, ne duhet “të flasim me arsye se si, brenda kornizës së partneritetit strategjik mund t’u japim ukrainasve gjëra në të cilat do t’i forcojmë ata gjeostrategjikisht.”

Vetoja e shpallur nga Orban kundër Ukrainës do të pasojë pasi Bullgaria bllokon Maqedoninë e Veriut në negociatat e anëtarësimit në BE dhe të kërkon që bullgarët të përfshihen së pari në Kushtetutën e Maqedonisë. Gjithashtu, Greqia ka kërcënuar prej disa kohësh se do të bllokojë Shqipërinë nga fillimi i negociatave të anëtarësimit me BE në samitin e lidererëve në dhjetor, për shkak të arrestimit të kryebashkiakut me origjinë greke të qytetit të Himarës në jug të Shqipërisë.

Ndryshe, më 12 dhjetor Këshilli i Ministrave të BE-së miratoi konkluzionet për zgjerimin, por pa dhënë rekomandime për hapjen e negociatave për anëtarësim me Ukrainën, Moldavinë, BeH-në dhe as për dhënien e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE për Gjeorgjinë.

Të gjitha vendimet e mundshme për këto çështje tani u janë lënë krerëve të shteteve dhe qeverive në BE, të cilët do të takohen më 14 dhe 15 dhjetor (nesër dhe pasnesër) në Bruksel.

Radio Evropa e Lirë shkruan se është një javë vendimtare me takimet dhe vendimet më të rëndësishme në lidhje me çështjen e zgjerimit të BE-së në 20 vitet e fundit.

Këshilli i Ministrave të BE-së mori një tjetër vendim të rëndësishëm për Serbinë, që më së voni deri në janar të vitit 2024, të ndryshohen kriteret për kapitullin 35 në negociatat e anëtarësimit me Serbinë, që nënkupton detyrime në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kjo do të thotë se Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i miratuar nga Ohri nga viti i kaluar do të bëhen obligim në rrugën e anëtarësimit të Serbisë në BE, por të njëjtat obligime që u ranë dakord në Bruksel dhe Ohër do të vlejnë edhe për anëtarësimin e ardhshëm të Kosovës në BE-së.