Rama: Shqipëria do të përdorë ChatGPT për ta reformuar ligjin sipas kërkesave të Bashkimit Evropian

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se ka arritur marrëveshje me shefen e ndërmarrjes së ChatGPT, Mira Muratin, për ta përshpejtuar integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE) duke përdorur ChatGPT për rregullimin e dokumentacionit ligjor, shkruan Euractiv, transmeton Portalb.mk.

Sipas kryeministrit Edi Rama, qeveria e Shqipërisë do të përdorë një model të ChatGPT-së në shqip, i cili do t’u tregojë më saktësisht ku dhe çfarë ndryshimesh duhet të bëhen në legjislacionin vendas për t’i përmbushur kërkesat e BE-së. Modeli i ri do t’i përkthejë masat dhe dispozitat ligjore të BE-së dhe më pas do t’i integrojë ato në strukturat ligjore ekzistuese të Shqipërisë, si dhe do të ofrojë një analizë të ndikimit të të gjitha ndryshimeve, që zakonisht kërkon shumë ekspertë dhe shumë kohë.

Kryeministri shpjegoi se kishte organizuar një telefonatë me Muratin për t’ia sugjeruar këtë plan.

“Dëgjova një zë miqësor që theu akullin dhe guxova t’i kërkoja ndihmë për ta përgatitur Shqipërinë më shpejt për anëtarësimin në BE. Ajo qeshi dhe mendoi se po bëja shaka”, tha ai.

Megjithatë në fund, tha Rama, ajo ra dakord dhe u krijua një ekip i përbashkët midis OpenAI dhe Agjencisë Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit (AKSHI).

Rama shtoi se nëpërmjet këtij projekti, ChatGPT mund të eliminojë “një ushtri përkthyesish dhe një batalion avokatësh, që kushtojnë miliona euro” si dhe do të përshpejtonte procesin.

Ai tha se sot Samitin e BE-së në Bruksel, do të prezantojë projektin dhe një test të suksesshëm të “modelit shqiptar të inteligjencës artificiale për ndërhyrje në legjislacion, gjithësej 280,000 faqe masash ligjore të BE-së”.

OpenAI dhe Murati, të njohur për shmangien e intervistave dhe deklaratave publike, nuk e kanë komentuar lajmin deri më tani.

Nga ana tjetër, në gusht, qeveria e Shqipërisë njoftoi se do të nisë përdorimin e ChatGPT për të krijuar shërbime që do të plotësonin administratën publike përmes platformës së shërbimeve të qeverisë e-Albania. Sistemi përdor një operator virtual që mbështetet në ChatGPT për të ofruar përgjigje në kohë reale. Ai pritet të vihet në funksion në fillim të vitit 2024.

Rama njoftoi gjithashtu se IA do të zëvendësojë një pjesë të madhe të shërbimeve në qeverisjen vendore dhe kombëtare, veçanërisht në prokurimet publike, në një përpjekje për të luftuar korrupsionin.

“Pavarësisht se sa individë të korruptuar do të ndëshkohen nga drejtësia e re, korrupsioni do të vazhdojë të mbetet problem derisa modernizimi dhe cilësia e shërbimeve të arrijë në shkallën e transformimit. Por koha na ka dhënë bekimin e teknologjisë digjitale dhe inteligjencës artificiale”, tha ai.

Duke i përshkruar proceset ekzistuese si “arkaike” dhe të infektuara nga shumë zyrtarë dhe komisionerë prokurimi, ai tha se brenda këtij mandati “Ne do të prezantojmë prokurimin me IA…sepse të dhënat do të merren nga IA dhe jo nga individi apo kompania, dhe kjo do të jetë transparent për të gjithë.”

Shqipëria do të jetë vendi i parë që do të përdorë inteligjencën artificiale për ta ndihmuar në procesin e anëtarësimit në BE dhe nëse do të jetë i suksesshëm, do të ketë një ndikim të rëndësishëm në procesin e vendeve të tjera kandidate.

Në Evropë, Shqipëria është vendi që më së shumti dëshiron anëtarësimin në BE, me më shumë se 97% që favorizojnë anëtarësimin, pavarësisht se janë në radhën e pritjes që 14 vjet. Shqipëria aplikoi për t’u anëtarësuar në BE në vitin 2009 dhe është një vend kandidat në BE që nga viti 2014. Negociatat e pranimit u zhbllokuan pas vitesh vonesa, kryesisht për shkak të lidhjes së progresit të saj me atë të Maqedonisë së Veriut në verën e 2022.

Rama e ka treguar haptazi zhgënjimin e tij për mungesën e motivimit apo entuziazmit të BE-së për t’u zgjeruar, si dhe mbajtjen peng nga vetoja, si ajo e Bullgarisë kundër Maqedonisë së Veriut dhe, së fundmi, Greqisë kundër Shqipërisë.

Këtë të fundit Rama e ka pohuar vetë, duke thënë se projekti do t’u prezantohet liderëve të BE-së, “kur të mbaroj takimin bashkë me dilemën greke”.

Greqia ka kërcënuar të vërë veton ndaj vazhdimit të bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë, për shkak të burgosjes së vazhdueshme të grekut etnik shqiptar Fredi Beleri, i cili u arrestua me dyshimin për blerje votash përpara zgjedhjeve lokale të vitit 2023 në Himare.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha të martën mbrëma, kur Këshilli Evropian miratoi konkluzionet për zgjerimin, se Komisioni nuk do të ndërhyjë në këtë situatë.

“Në këtë rast zbatohet ligji, ligji duhet respektuar dhe nëse ka dyshime, vendet anëtare të BE-së dhe Shqipëria kanë instrumentet për të dhënë zgjidhje”, tha ai.

ChatGPT u zhvillua nga Mira Murati dhe ekipi i saj në OpenAI, kurse doli në treg më 30 nëntor të vitit 2022. ChatGPT prodhon përmbajtje tekstuale bazuar në pyetjet ose kërkesat e dhëna nga një përdorues dhe mund të gjenerojë përgjigje, të përkthejë, të kompozojë muzikë, të shkruajë programe kompjuterike, të bëjë përmbledhje të teksteve dhe shumë më tepër.

Murati kohët e fundit u zhvendos në pozicionin e CEO të përkohshëm të OpenAI pas largimit të Sam Altman.

E lindur në Vlorë, Shqipëri, ajo studioi në Tiranë përpara se të transferohej në SHBA për të studiuar shkenca kompjuterike në Dartmouth. Ajo iu bashkua OpenAI në 2016 si inxhiniere përpara se të promovohej në CTO2019. Gjatë katër viteve të saj në atë rol, ajo ishte përgjegjëse për mbikëqyrjen e kërkimit dhe zhvillimit të teknologjisë së IA, duke përfshirë modelin ChatGPT.