Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut
Presidenti amerikan Donald Trump të martën tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, zgjati vendimin për pezullimin e ndihmës financiare për Agjencinë e OKB-së për Refugjatët Palestinezë dhe urdhëroi një rishikim të rolit amerikan në UNESCO, transmeton Zëri i Amerikës.
“Ka një potencial të madh dhe bazuar në potencialin, ne do të vazhdojmë angazhimin tonë, por ata duhet të bashkohen”, tha Presidenti Trump për gazetarët. “Nuk është duke u udhëhequr mirë. Ata nuk po e bëjnë punën”.
“Shumë nga këto konflikte për të cilat po punojmë duhet të zgjidhen, ose të paktën ne duhet të kemi një ndihmë për zgjidhjen e tyre. Duket se ne kurrë nuk marrim ndihmë. Ky duhet të jetë qëllimi parësor i Kombeve të Bashkuara”, tha presidenti amerikan.
“Që nga dita e parë, mbështetja e Shteteve të Bashkuara për OKB-në ka shpëtuar shumë njerëz dhe ka avancuar sigurinë globale”, tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.
“Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së mezi pret të vazhdojë marrëdhëniet e tij produktive me Presidentin Trump dhe qeverinë amerikane për të forcuar këtë marrëdhënie në botën e sotme të trazuar”.
Presidenti Trump tha se ai nuk po synonte të pezullonte fondet nga organizmi botëror prej 193 anëtarësh, megjithëse u ankua se Uashingtoni është i detyruar të paguajë një shumë joproporcionale si anëtar i OKB-së.
Uashingtoni është kontribuesi më i madh financiar i OKB-së, i pasuar nga Kina, që përbën 22% të buxhetit bazë të OKB-së dhe 27% të buxhetit për operacionet paqeruajtëse. OKB-ja ka thënë se Shtetet e Bashkuara aktualisht kanë një detyrim financiar prej 2.8 miliardë dollarësh, nga të cilat 1.5 miliardë dollarë janë për buxhetin e rregullt. Këto pagesa nuk janë vullnetare.