Shtetasja e Maqedonisë tentoi të kontrabandonte stoli “Swarovski” në Aeroportin e Shkupit
Zyrtarët doganorë në pikën kufitare të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit kanë konfiskuar stoli të markës “Swarovski” me vlerë 333 mijë denarë, ose rreth 5.400 euro, të cilat u zbuluan gjatë një kontrolli të detajuar të një udhëtareje që ishte paraqitur për hyrje në vend, transmeton Portalb.mk.
Siç njoftuan nga Drejtoria Doganore, stolitë e padeklaruara u zbuluan te një shtetase e Maqedonisë së Veriut, e cila në Aeroportin e Shkupit kishte mbërritur me një fluturim nga Zagrebi.
“Në vendkalimin kufitar Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit u konfiskuan stoli të markës “Swarovski” me vlerë prej 333 mijë denarësh, pasi zyrtarët doganorë i zbuluan gjatë një kontrolli të hollësishëm të një udhëtareje në hyrje të vendit. Bëhet fjalë për një shtetase të Maqedonisë së Veriut, e cila mbërriti me fluturim nga Zagrebi. Me qëllim që të shmangte pagesën e detyrimeve doganore të importit, ajo kaloi në korridorin e gjelbër në vend të atij të kuq. Udhëtarja u përzgjodh për kontroll nga zyrtarët doganorë dhe deklaroi se nuk kishte asgjë për të deklaruar. Pas kontrollit me rreze X dhe kontrollit të bagazhit, u zbuluan 23 copë stoli të markës “Swarovski””, thonë nga Dogana.
Rasti iu referua Departamentit të Hetimeve pranë Sektorit për Kontroll dhe Hetime, i cili paraqiti kallëzim penal për veprën penale të “kontrabandës”, e dënueshme sipas Kodit Penal.