Skënder Sherifi, ky shtegtar i përhershëm, udhëton jo vetëm nëpër hapësira gjeografike, por edhe nëpër përmasa kulturore, qytetërimore e kozmike.
Nëse do t’i referohemi qasjes së Anri – Pazhosë mbi udhëtimin, mund të themi se Sherifi nuk është turisti që shijon të panjohurën vetëm për kënaqësinë e tij, por është udhëtari që udhëton në botën reale e imagjinare dhe sheh edhe atë që nuk duket e nuk prekët. Pastaj, me instrumentet e artit, krijon një botë të përfytyruar, simbolike. Ai rron me poezinë dhe për poezinë.
Sherifi, siç thotë në “testamentin” e tij, ka mëtuar të krijojë një gjuhë intime e universale, babeliane e globaliste, përtej gramatikave e leksikëve; një gjuhë totale, humane, sovrane, të lirë, që përcjell mesazhe mitike, realiste, tokësore e qiellore; një gjuhë mistike, sokratike e platonike; një gjuhë kinematografike e avangardiste, që rrëfen të pashprehshmen, të padukshmen, të padëgjueshmen, të pabesueshmen; një gjuhë delikate, sensuale, hyjnore, kozmike, autentike, epike, jetike, utopike dhe hipnotizuese.
Nëpërmjet kësaj gjuhe, Sherifi komunikon me lexuesit e sistemeve të ndryshme kulturore dhe do të komunikojë edhe me lexuesit që s’kanë lindur.
Poezitë e Skënder Sherifit duhet të lexohen për kënaqësi estetike dhe jo të lexohen sa për të shkruar për to.
Derisa i lexon poezitë e tij, shfaqet përpara teje një botë e pasur me imazhe nga kulturat dhe qytetërimet e gjalla e të shuara. Ka aty shumë simbole që presin t’i “deshifrosh”. Ky proces “deshifrimi” të pasuron shpirtërisht.
“Atelietë e ëndrrave” (Tiranë, 2026) është libër i veçantë në letërsinë shqipe dhe i shkruar nga një poet i pazakontë, të cilit, kudo ku shkon, i qëndron pranë një muzë.
Poeti frymëzohet edhe nga bota shqiptare, por qëndron përtej filozofisë së provincës. Sherifi, autentik për shumëçka, është qytetar i botës. Jo për modë dhe formë, por pse kjo është mënyra e jetesës së tij.
Poezitë e Skënder Sherifit janë produkt i talentit të rrallë dhe i kulturës së madhe të poetit.
Në poezitë e tij ka emocion dhe erudicion. Poezia e tij është shumështresore, e thellë, me shumë kode. Në universin e tij letrar kemi lirizëm, ironi, imazhe të shumta dhe groteskë. Kemi realizëm, surrealizëm, absurd, psikanalizë apo ekzistencializëm, por ai nuk merakoset për “izmat” dhe as nuk bëhet rob i tyre…
Studiuesit e krijimtarisë së tij kanë theksuar se Sherifi shkruan për parajsat e dashurisë, për ekzotiken shqiptare, e parodizon historinë dhe i ripërmason vlerat e harruara të botës shqiptare, që u kanë mbijetuar shekujve. Shtatë pamjet në këtë libër janë shtatë gjendje shpirtërore. Në këto përmasa shpirtërore ka motive të shumta, kurse mbizotërues është motivi i dashurisë. Dashuria herë është tokësore dhe herë eterike.
Në ditët imagjinare, herë “preket” bota shqiptare e herë kemi shtrirje në përmasa universale. Bota e tij artistike është e pafundme dhe zgjerohet vazhdimisht si universi.
Duke lexuar vargjet e Sherifit, ne nuk gjejmë përgjigje të gatshme, por kërkojmë përgjigje të panumërta për fenomene të ndryshme shpirtërore, jetësore, ekzistenciale apo shoqërore.
Poezia e Sherifit është e hapur. Ajo nuk na tregon një rrugë të mundshme, por rrugë të shumta.
Poezitë e tij karakterizohen për lirizmin e fuqishëm dhe figuracionin e pasur. Ai është poeti që eksperimenton dhe nuk pranon të krijojë brenda skemave të paracaktuara.
Sherifi ka sjellë frymë të re në poezinë shqipe, e ka pasuruar sistemin tonë kulturor dhe i ka afirmuar bukuritë e këtij sistemi në kontekst më të gjerë.
Librat e tij herët ose vonë do të zënë vend nderi në fondin e librave më të çmuar të letërsisë shqipe dhe jo vetëm.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.