Shqipëria promovoi identitetin, katër pasuri jomateriale u shpallën vlerë kombëtare

Trashëgimia kulturore shqiptare pasurohet me katër elemente të reja që tashmë mbrohen dhe promovohen zyrtarisht nga shteti. Vallja e Ngjalës, Vallja Dyshe Myzeqare, dijebërja e veshjes zadrimore dhe dijebërja e qeleshes janë shpallur “Vlerë Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”, duke u përfshirë në fondin e pasurive që konsiderohen pjesë e identitetit shpirtëror dhe kulturor të vendit, shkruan Portalb.mk.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë Blendi Gonxhja, në faqen e tij zyrtare në Facebook duke theksuar se këto elemente janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë shpirtërore dhe tashmë përfshihen në fondin e pasurive që mbrohen dhe promovohen nga shteti shqiptar.

Foto nga dijebërja dhe format e përdorimit të veshjes tradicionale të gruas dhe vajzës zadrimore. Foto: Blendi Gonxhja (Facebook)
Foto nga dijebërja dhe format e përdorimit të veshjes tradicionale të gruas dhe vajzës zadrimore. Foto: Blendi Gonxhja (Facebook)

Vendimi u mor nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, në mbledhjen e tij të radhës, ku u vlerësuan praktika dhe tradita që mbajnë gjallë identitetin kulturor të komuniteteve në zona të ndryshme të vendit.

Elementët e shpallur “Vlerë Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale” janë konkretisht:

  • Dijebërja dhe format e përdorimit të veshjes tradicionale të gruas dhe vajzës zadrimore.
  • Vallja e Ngjalës.
  • Vallja Dyshe Myzeqare.
  • Dijebërja e qeleshes (plisi, kësula, kapuçi, qylahi, kapica, takija, qylafi).
  • Tradita e thurjes me gjilpërë me oje/ojna/ojma/cimb.
Foto nga vallja Dyshe Myzeqare. Foto: Blendi Gonxhja (Facebook)
Foto nga vallja Dyshe Myzeqare. Foto: Blendi Gonxhja (Facebook)

Sipas ministrit Gonxhja, këto pasuri nuk janë vetëm shprehje arti dhe mjeshtërie, por edhe rrënjë të historisë sonë, kujtesë kolektive dhe identitet që bashkon shqiptarët.

Gonxhja ka deklaruar se Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit do të vijojë punën për evidentimin, mbrojtjen dhe promovimin e elementëve të tjerë të trashëgimisë kulturore jomateriale, duke i konsideruar ato si një pasuri të çmuar kombëtare dhe një potencial të rëndësishëm për zhvillimin kulturor dhe turistik të vendit.