MPJ: Shtetasit në Izrael të ndjekin udhëzimet e autoriteteve dhe të na kontaktojnë për ndihmë, fluturimet janë pezulluar

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme u bën thirrje shtetasve të Maqedonisë së Veriut që ndodhen në territorin e Izraelit të ndjekin me kujdes portalet zyrtare kombëtare për raste emergjente dhe të veprojnë në mënyrë rigoroze sipas udhëzimeve të institucioneve kompetente, transmeton Portalb.mk.

Ministria publikoi edhe numra SOS kontakti nëse qytetarët kanë nevojë për ndihmë, ndërsa theksoi se hapësira ajrore mbi Izrael është e mbyllur për fluturime civile.

Paralajmërimi vjen pasi SHBA-të dhe Izraeli sulmuan Iranin mëngjesin e sotëm, ndërsa forcat mbrojtëse izraelite njoftuan se kanë identifikuar raketa të lëshuara nga Irani drejt territorit të Shtetit të Izraelit.

“Njëkohësisht, u bëjmë thirrje të gjithë shtetasve tanë të përmbahen nga udhëtimet drejt vendeve të këtij rajoni deri në stabilizimin e gjendjes së sigurisë. Sipas informacioneve të marra nga Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tel Aviv, hapësira ajrore mbi Izrael është e mbyllur për fluturime civile deri në njoftim të radhës. Të gjitha fluturimet komerciale hyrëse dhe dalëse janë pezulluar, pa njoftim konkret për rifillimin e trafikut të rregullt ajror”, njoftoi ministria përkatëse”, informoi Ministria e Jashtme.

Në vijim janë kontaktet për ndihmë në Izrael.

Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tel Aviv:

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme:

Nga ministria bëjnë të ditur se përmes përfaqësisë diplomatiko-konsullore në Tel Aviv po e ndjekin në vazhdimësi situatën dhe se do ta informojnë me kohë opinionin për zhvillimet e mëtejshme.

Edhe ambasada e Maqedonisë së Veriut në Izrael u bëri thirrje qytetarëve që ndodhen aktualisht në Izrael të ndjekin me përpikëri udhëzimet e lëshuara nga Komanda e Frontit të Brendshëm izraelit.

“Qytetarëve u rekomandohet: të qëndrojnë në ose pranë një hapësire të mbrojtur (strehimore, dhomë e sigurt ose zonë tjetër e miratuar për mbrojtje); të sigurohen se e dinë ku ndodhet hapësira më e afërt e mbrojtur; të mbajnë furnizimet bazë lehtësisht të qasshme, përfshirë ujë, ushqim, barna, komplet të ndihmës së parë, elektrik dore dhe telefona të karikuar; të ndjekin përditësimet dhe njoftimet zyrtare në kohë reale përmes faqes së Komandës së Frontit të Brendshëm (https://www.oref.org.il/eng), aplikacionit mobil dhe mediave lokale. Të hyjnë menjëherë në hapësirat e mbrojtura pas marrjes së njoftimit dhe të qëndrojnë aty derisa udhëzimet zyrtare të tregojnë se është e sigurt të largohen. Për qytetarët që planifikojnë të udhëtojnë drejt ose të largohen nga Izraeli, fluturimet aktualisht janë anuluar deri në njoftim të radhës. Rekomandojmë të ndiqni me kujdes përditësimet nga kompanitë ajrore dhe autoritetet kompetente”, thuhet në apelin e Ambasadës së RMV-së në Tel Aviv.