Shqipëria, partnerja kryesore e Kosovës në eksporte

Eksporti në Kosovë po mbulon importin me 13.1%. Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 4.4% në muajin Korrik në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, raporton Klan. Eksportet në Kosovë me vendet e CEFTA-s arritën në 27.6 milionë Euro ose 41% e eksporteve të përgjithshme me një rritje 6.8 %.

Prin Shqipëria si partneri kryesor i vendeve të CEFTA-s që Kosova eksporton me 14.3% e pasuar nga Maqedonia e Veriut me 13.3% e pastaj radhiten Mali i Zi dhe Serbia.

Sa i përket importeve e që arritën 73.9 milionë Euro me vendet e CEFTA-s prin Maqedonia e Veriut me 5.9% e pasuar nga Shqipëria  5.4% dhe më pas Serbia1.3%.

Në  vendet e BE-së Kosova eksporton më së shumti mall në Gjermani pastaj Itali e Holandë.

Partnerë të rëndësishëm për eksportin e mallrave janë edhe SHBA-ja me 11.7% dhe Zvicra me 8.7%.

Sipas të dhënave të ASK-së grupet kryesore të eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt e tyre me 22.2%, 14.5% plastikë gomë dhe artikuj të tyre, 10,5% ushqime të përgatitura, pije dhe duhan, pastaj vijnë produktet bimore dhe ato të tekstilit.

Ndërsa Kosova në këtë periudhë kohore ka importuar më shumë produkte minerale, ushqime të përgatitura, pije, duhan, pajisje mekanike dhe elektrike si dhe mjete te transportit.