Shqipëri, studentët e mjekësisë përsëri protestë kundër punësimit të detyrueshëm

Studentë të degës së mjekësisë kanë protestuar përsëri kundër nismës së Qeverisë së Shqipërisë për punësimin e tyre në vend për disa vite, si kusht i marrjes së diplomës, raporton Anadolu.

Dhjetëra studentë kanë protestuar para selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku sot po mbahet seanca parlamentare, në të cilën janë parashikuar diskutimet dhe votimi i Projektligjit “Për trajtimin e veçantë të studentëve të mjekësisë në institucionet publike të arsimit të lartë”.

Studentët protestues kanë kundërshtuar projektligjin duke kërkuar që mos të miratohet në Kuvend, pasi sipas tyre janë kundër punësimit të detyruar. Gjithashtu studentët kanë paralajmëruar edhe vijimin e protestave dhe sipas tyre, mundësinë e bojkotit të vitit të ri akademik.

Projektligji

Sipas projektligjit që Qeveria e Shqipërisë prezantoi më 5 korrik, studentët që do të pranohen në vit të parë në degën e mjekësisë në institucionet publike të arsimit të lartë, do të nënshkruajnë një marrëveshje për t’u punësuar për 5 vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve.

Sipas projektligjit, studentët që janë në proces studimi, do të kenë mundësi zgjedhjeje mes punësimit të sigurt, me detyrimin për të punuar për 3 vite në Shqipëri, nëse janë studentë të vitit të dytë deri në të katërtin; studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë me detyrimin për të punuar 2 vite në Shqipëri, ose, në të kundërtën, do të paguajnë koston reale të tarifës së studimit për vitet e mbetura.

Institucionet shqiptare kanë deklaruar se projektligji në fjalë synon kryesisht plotësimin e nevojave të sistemit shëndetësor për mjekë, shpërndarjen më të mirë të tyre si dhe parandalimin e largimit të mjekëve për të punuar jashtë vendit.