Shqipe Duka: 22 vjet pa mbështetje sepse nuk isha ushtare partie, shoh artistë që braktisin veten për të fituar bukën e gojës
Ka artistë që e zgjedhin artin, ka të tjerë që lindin brenda tij. Shqipe N. Duka i përket të dytës, një krijuese që është rritur në hijen e perdes së kuqe, mes frymës së teatrit dhe zërit të monologëve që përziheshin me gjumin e fëmijërisë. Filmi i saj “Babai”, i pari film shqiptar i metrazhit të gjatë i financuar nga Agjencia e Filmit dhe i realizuar nga një regjisore grua në Maqedoni, nuk është vetëm një arritje personale, është një çarje e heshtur në një sistem të mbyllur. Në një bisedë për Portalb.mk, Duka nuk flet për “të qenit e para”, ajo foli për artin si nevojë, për krijimin si fat dhe për një rrugë që nuk është ndërtuar për t’u ndjekur, por për t’u kaluar, shpesh vetëm, por gjithmonë me një zë të vetin.
Portalb.mk: Kur dhe si lindi ideja për regjinë si zgjedhje jetësore? A ishte një moment i vetëm apo një proces më i gjatë?
Shqipe Duka: Sigurisht se kishte një proces inicijimi që i parapriu momentit… Unë isha fëmijë i teatrit; shumë herët e kisha zgjatur kokën pas perdes së kuqe dhe e kisha parë barkun e asaj bishe magjepsëse.
Unë edhe sot me shumë melankoli e kujtoj fundusin e teatrit, atje ku të gjitha copat e skenografive dhe rekuizitat e shfaqjeve të vdekura mblidhnin pluhur. Aty mbante një aromë që askund tjetër nuk e kam ndier, si një punëtori ëndrrash, në gjysmëterr, e prej dritareve të ngjyrosura rrallë futej ndonjë rreze e zbehtë e dritës, sa për ta bërë atë hapësirë edhe më metafizike.
Shpesh mendoj se aty ka zënë fill fascinimi im me teatrin. Pastaj edhe shkruaja, sepse shkruante edhe babai im, Sefa, një aktor i shkëlqyer, një baba mahnitës. Më pëlqente shumë zhurma e makinës së tij. Nuk e di a kisha nisur të shkruaj sa për të pasur arsye për ta përdorur atë makinë shumë të çmuar, apo me të vërtetë kisha diçka për të thënë.
Ai moment, kur merrje fletën, një indigo në mes për kopje dhe fletën tjetër, ishte një ritual gati shpirtëror, si të uleshe për t’u lutur. Kisha mbledhur shumë poezi, por nuk ia tregoja askujt. Ato i lexoi vetëm një prej miqve të babait, dramaturg, sepse donte t’i recensonte dhe t’i botonim. Tha se ishin shumë të errëta dhe të trishta; si kishte mundësi që bota ime të ishte aq “bodleriane” në vetëm 14 vite jetë që kisha.
Por kjo prapë ka gjasa të lidhej me teatrin dhe mund të kishte të bënte me tronditjen që e përjetova duke e parë babain tim në skenë, me një gur të madh varri mbi shpinë, apo ishte një libër, ku luante Edgar Allan Poe-n, e thërriste me dëshpërim të thellë: “Fryri veriu nga ret’ e ma ngriu të bukurën Annabel Li”!
Ndoshta ishin të gjitha ato net të vona kur ai pëshpëriste monologët e tij derisa mua më kaplonte gjumi. Të dëgjosh Hamletin derisa zhytesh në valët theta para gjumit, dhe ti je vetëm 7 vjeç… Edhe “gjindet” në shtëpinë tonë të vogël afër varreve të qytetit kishin një reverancë të thellë ndaj mjeshtërisë së babait tim.
Pra, unë isha brenda kësaj bote qysh në fillim. Momenti i zgjedhjes për të qenë regjisore ishte, në fakt, vetëm një pajtim me fatin tim.

Portalb.mk: Çfarë do të thotë, në një kontekst më të gjerë shoqëror, të jesh pioniere në një fushë si regjia? Si ndikojnë figurat e para në hapjen e rrugëve për brezat që vijnë?
Shqipe Duka: Nuk e di a është e çuditshme, por unë asnjëherë nuk e kam menduar këtë gjë dhe vazhdoj të mos i jap ndonjë domethënie. Si duket, më mungon një vetëreflektim, ose thjesht e shmang, sepse nga njëra anë ndiej një dëshpërim se pse aq vonë është okupuar ky profesion nga një grua, dhe nga ana tjetër ndiej hidhërim se pse duhet të kategorizohem si “regjisorja femër”.
Nuk kam dëgjuar ndonjëherë t’i referohemi ndonjë regjisori si “regjisori mashkull”! Është thjesht një profesion! Kjo është ajo që e ndiej sinqerisht në lidhje me këtë fenomen në nivel botëror. “Female Director”… E çuditshme!
Sa i përket “hapjes së rrugës”, besoj se ata që vijnë pas nesh, në një kohë më të largët, do të kenë distancë të mjaftueshme kohore dhe qartësinë e duhur për ta vlerësuar dhe për ta rrëfyer këtë histori në mënyrën më të bukur dhe më objektive të mundshme.
Ne patjetër që mahnitemi dhe magjepsemi nga diçka apo dikush. Ne mund të nxisim dhe të inspirojmë dikë, por çdoherë secili do të ecë i vetëm dhe vetëm në rrugën e vet.
Portalb.mk: Sa sfiduese mbetet sot për gratë shqiptare të depërtojnë në industri krijuese ku historikisht kanë dominuar burrat? Çfarë mekanizmash të padukshëm vazhdojnë ta bëjnë këtë rrugë më të vështirë?
Shqipe Duka: Burrat kanë dominuar dhe ende dominojnë në çdo fushë të jetës. Por jo sepse ata janë më të zotë. Vetëm për faktin se janë të lirë. Ata thjesht janë të lirë dhe e kanë shumë të zëshme thirrjen për të arritur medoemos diçka, sepse ndryshe do të quhen humbës.
Kurse te ne, thirrja më e madhe, që i bën hije çdo ambicieje tjetër, është “mëmësia”, dhe kjo është e shenjtë. Nuk e kam njohur ende një grua të re që me gëzim e lë foshnjën e saj dhe ikën nga shtëpia për ta pushtuar botën! Këta çdoherë kanë qenë dhe do të jenë burrat.
Edhe pse unë asnjëherë nuk e shoh botën si kompeticion mes gjinive, e kuptoj që ajo është pak më e ashpër dhe sfiduese për delikatesën e një femre. Por kjo nuk duhet aspak të na zbrapsë. Gratë gjithkund në botë, jo vetëm ato shqiptare, po e patën një zjarr në shpirt, një ide të bukur në mendje, nuk ka forcë që i ndal.
Gjithçka që na duhet në fillim është vetëm vetja jonë! Po e përsëris: përtej paragjykimeve, kufizimeve, dëshpërimit dhe dyshimit, gjithçka që i duhet një femre është vetëm vetja e saj. Kur të arrijë aty, bota çelet, zbutet, përshtatet për t’ia krijuar një rrugë, një shpëtimtar dhe një mal me mundësi pa fund për të.
Sa i përket regjisë, po, është profesion shumë-shumë kërkues, “i ashpër dhe dominues”, por jo sepse i tillë duhet të jetë, por sepse ashtu i janë qasur në të kaluarën, kur ka qenë shumë e vështirë teknikisht për të bërë film ose një produksion çfarëdo qoftë.
Kurse sot, në këtë kohë të rilindjes teknologjike, bota e filmit mundet më në fund të marrë frymë më lirshëm dhe t’ia lejojë vetes një trajtim femëror, një qasje më të butë, gati terapeutike, që moti ndoshta edhe i është dashur kësaj industrie. Hollywood-i ka ca kohë që e ka shijuar këtë luks dhe kemi pasur kënaqësinë të shohim realizime të jashtëzakonshme.

Portalb.mk: Sa shpesh filmi ushqehet nga përvoja personale dhe sa nga realiteti kolektiv? Ku qëndron kufiri mes autores dhe historisë që ajo rrëfen?
Shqipe Duka: Filmi është një medium shumë i fuqishëm, sigurisht sepse në formë përbëhet nga të gjitha artet, por për mua është i fuqishëm sepse ai gjithmonë qëndron në një vijë të hollë mes ëndrrës dhe realitetit.
Përderisa teatri është një bishë që kërkon mishin dhe gjakun e krijuesve të vet, është shpesh mizor në atë çka e përcjell dhe i flet vetëm elitës, filmi është një formë arti më e sofistikuar, një punëtori shumë e shtrenjtë lodrash ku materiali shpërbëhet në pafundësi, për t’u asembluar prapë me një durim të thellë eremitësh.
Filmi im i parë, “Babai”, është personal në atë se reflekton frustrimin tim si një vajzë 24-vjeçare në një shoqëri patriarkale, sepse aq isha e re unë kur e bëmë këtë film, si dhe është universal në atë që rrëfen për dhimbjen e madhe të humbjes së fëmijës, në këtë rast djalit të vetëm të Zekës, personazhit që e luan babai im, Sefedin Nuredini. Dhe mendoj se është një triumf në karrierën e tij të bollshme.
Këtë dhimbje, që mund të përballohet vetëm nëse mendja rrëshqet pak në një çmenduri çliruese, e kishte kapërthyer në filmin e saj edhe Chloé Zhao në “Hamnet” dhe kur e pashë thashë: po, sigurisht, femrat çdoherë kanë “vajtuar” më së miri.
Kjo është ajo fryma e re në kinematografi dhe jam shumë e lumtur që filmi im i parë e përfaqëson këtë në mënyrën më të bukur dhe të denjë, sepse është një film jashtë kohës dhe vendit, që çdoherë do t’i flasë secilit publik.
Portalb.mk: A është filmi ende hapësirë ku mund të thuhen të vërteta që shoqëria i shmang? Si ndikon mungesa e mbështetjes institucionale në lirinë krijuese dhe në guximin artistik?
Shqipe Duka: Gjithmonë, secila shprehje artistike apo çdo manifestim artistik e shpreh një të vërtetë që shoqëria ose e shmang, ose e përqafon. Rezonancat kolektive gjithmonë reflektohen te artisti dhe ai vetëm se e zgjedh formën më të bukur si t’ia kthejë atë shoqërisë; është një pasqyrë, një sinergji e përhershme.
Fatkeqësisht, në këtë vend dhe në pjesët e tjera shqiptare, mbështetja institucionale është shndërruar në një indikator të asaj se a je apo nuk je një ushtar partiak.

Unë asnjëherë nuk kam qenë anëtare partie, dhe prandaj kanë kaluar 22 vjet prej se një projekt imi është mbështetur nga institucioni.
Kjo është absurde, sidomos për faktin që unë jam autore edhe e një filmi të metrazhit të mesëm që e kam bërë në vitin 2014, pa asnjë mbështetje nga Agjencia e Filmit. Është kryekëput prodhim i produksionit tim, Artemis Films, dhe është një film që është prezantuar edhe në Festivalin e Kanës, në pjesën reviale.
Ka pasur momente kur dëshpërimi ka qenë i madh, sidomos për faktin që edhe Sefa ishte çdoherë me shumë vullnet për ta përsëritur prapë eksperiencën që e patëm te “Babai”. Ai çdoherë kishte shpresa se këtë herë skenari im do të vlerësohej, sepse ishin skenarë gjithmonë shumë ambiciozë. Por ja që ai shkoi pa e realizuar dëshirën e tij. Më ka ngelur peng dhe gjithmonë do ta kem këtë shije të hidhur në këtë vend.
Por, falë Zotit, më ka ndihmuar shumë fakti që jam shtetase holandeze dhe jetoj në një vend larg zhurmës politike. Megjithatë, prapë e shoh tragjike atë se si ndodhi që artisti shqiptar u katandis në këtë gjendje, si dhe kur e shiti veten për kaq pak.
Të ngelesh pa dinjitet, të mos spikatësh për mjeshtëri, edhe pse ke gllabëruar film pas filmi, ke vjedhur çdo përvojë serioze që ka mundur t’i takojë një tjetri që ka diçka më të bukur se ti për ta thënë, vetëm e vetëm se ti je një lëpirës partiak, kjo është tragjike!
Sidoqoftë, ky vit është i pari ku unë po ndihem me shpresë se gjërat kanë filluar të ndryshojnë për të mirë.
Portalb.mk: Si e vlerësoni sot pozitën e gruas shqiptare në art? A vazhdon të ekzistojë nevoja për të dëshmuar më shumë për të arritur të njëjtin vlerësim, apo ka ndryshime reale në këtë drejtim?
Shqipe Duka: Siç ju thashë, jam larg zhurmës dhe aktualiteteve. Ndjej që arti në trojet shqiptare është në një zgrip të fortë të institucioneve. Shoh artistë që e braktisin veten me arsyen se duhet ta fitojnë bukën e gojës.
Globalisht, është një tranzicion i tmerrshëm shpirtëror. Edhe lojërat mentale janë bërë të paparashikueshme. Jemi të gjithë të lodhur. Femrën, më shumë se kurrë, e shoh më vigjilente në jetën e saj personale dhe të familjes, sepse shoqëria po përjeton një shthurje të përshpejtuar morale. Kjo mbase është instinkti i saj që ta ruajë dhe ta mbrojë esencën fundamentale të njerëzimit.
Jemi të zëna pafundësisht me çështje të shëndetit fizik dhe mental. Si duket, askush më nuk do të “vuajë” dhe të flijohet për artin.
Sidoqoftë, për mua është çdoherë një festë kur kam fatin ta shoh një femër, një grua që ngrihet mbi gjithë këtë kaos dhe na tregon veten e saj të vërtetë nëpërmjet artit të saj.