Shoqëritë kulturore nga RMV sjellin tradita, këngë dhe valle autentike në festivalin “Hasi Jehon”
Mbrëmë në Gjonaj të Kosovës ka nisur edicioni i 37-të i festivalit tradicional “Hasi Jehon”, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore shqiptare, që për tri netë radhazi mbledh ansamble, shoqëri kulturo-artistike dhe grupe nga të gjitha trevat shqiptare, shkruan Portalb.mk.
Në natën e parë të festivalit u paraqit edhe SHKA “Duflla” nga Saraji, e cila solli para publikut një program të pasur me valle dhe këngë tradicionale, duke kontribuar në atmosferën festive të hapjes së këtij manifestimi kulturor.
Festivali, i cili mbahet më 1, 2 dhe 3 maj, sjell para publikut pasurinë e folklorit shqiptar përmes valleve burimore, këngëve popullore, instrumenteve tradicionale, kostumeve tradicionale dhe riteve që pasqyrojnë trashëgiminë shpirtërore të shqiptarëve ndër breza.
Në natën finale, më 3 maj, në program është përzgjedhur edhe SHKA “Jahi Hasani” nga Çegrani i Gostivarit, një grup folklorik mjaft i afirmuar. Ansambli do të prezantohet me një program të pasur etnofolklorik nga zona e Pollogut, duke sjellë para publikut rituale të vjetra, këngë dasme dhe valle karakteristike të zonës së Gostivarit.
Veçori e veçantë e SHKA “Jahi Hasani” janë edhe veshjet tradicionale origjinale të zonës etnografike të Malit të Thatë, Gostivarit dhe Tetovës, të cilat e bëjnë paraqitjen e tyre edhe më të pasur dhe më autentike.
“Hasi Jehon” vazhdon të jetë një urë lidhëse mes brezave, duke ruajtur dhe promovuar vlerat autentike shqiptare, si dhe duke forcuar lidhjen me rrënjët kombëtare.
Edicioni i sivjetshëm pritet të tërheqë një numër të madh vizitorësh, duke e kthyer Gjonajn në Kosovë në një qendër të gjallë të kulturës dhe folklorit shqiptar.
Programi i festivalit tradicional “Hasi Jehon”:
