Më 4 maj në Teatrin Shqiptar Shkup do të shfaqet “Përtej Hekurave”, drama që ndërthur Kadarenë dhe Hotin
Në Teatrin Shqiptar Shkup, më 4 maj 2026, me fillim nga ora 20:00, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë premierën e shfaqjes “Përtej Hekurave”, një projekt i veçantë skenik që vjen me dramatizim dhe regji nga Naser Shatrolli. Kjo shfaqje sjell në skenë një temë të fuqishme artistike, historike dhe kombëtare, duke hapur hapësirë për reflektim mbi lirinë, mendimin politik, qëndresën dhe fatin shqiptar përballë padrejtësive të kohës, shkruan Portalb.mk.
Shfaqja është ndërtuar mbi veprat “Bisedë përmes hekurave” të Ismail Kadaresë dhe “Filozofia politike e çështjes shqiptare” të Ukshin Hotit, duke sjellë në skenë një ndërthurje të fuqishme mes letërsisë, filozofisë, historisë dhe mendimit politik shqiptar.
Në një prononcim për Portalb.mk, dramaturgu dhe regjisori Naser Shatrolli shpjegon se ndërtimi i urës mes letërsisë dhe filozofisë është bërë përmes dramaturgjisë:
“Përmes dramaturgjisë. Personazhet qëndrojnë në linjat e tyre letrare dhe filozofike ndërsa ecuria e ngjarjes, fabulës dhe e dialogjeve zhvillohet në kontura të binarëve të formulës dramaturgjike. Ndryshe, që të dy personazhet e dramës, Hoti dhe Kadare, veprojnë dhe zhvillojnë temën në ujërat e gjuhës së letërsisë dhe të filozofisë. Nuk ka dallime përderisa flitet për zhvillimet politike, madje secili prej tyre ka bindjet, njohuritë dhe opinionin publik mbi temën e madhe të Kosovës dhe të Shqipërisë, në konstelacione gjeostrategjike dhe të luftës së zhvilluar në vitet 90-ta, koha kur kjo temë të thyente kokën”, tha Shatrolli.
Duke folur për simbolikën e titullit, ai thekson:
“Ajo për të cilën e mbajnë brenda hekurave Hotin është e përtejme, përtej hekurave, ajo është përmbajta e të gjithës. Populli shqiptar është duke e jetësuar dhe duke jetuar të përtejmen e protagonistit. Mendimi politik, parimet, ideali, janë e përtejme, nuk brugoset dot. Shqiptarët janë të lirë të mendojnë, të punojnë, të shkrijnë zejen e dijes në shkencë, në dije, në punë, në pjekje të imazhit të fotografisë së shteteve të tyre, paralel me shtetet rajonale, me synimin që të lëvizin të unifikuar në binarët e Europës”.
Shatrolli pranon se procesi i dramatizimit ka qenë sfidues për shkak të ndjeshmërisë së temës.
“Kam pasë dilema, frikëra, mëdyshje, dyshime, të gjitha janë manifestuar përgjatë procesit të sendërtimit të dramës. Drama është politike, ndërsa mbështetja në fakte historike nuk e ndryshon dramaturgjikisht rrjedhën e penës dhe peshën e secilit personazh të krijuar në norma doktrinare dhe ideore – dialogu veçmas dhe semantikën e personazheve janë të rëndësishme meqë ata flasin dhe duhet të kuptohen për çfar flasin. Drama ka barierat e saj, detyrohemi të jemi të sakt në ndërtimin e biografisë së tyre dhe të krijojmë dialogun e duhur dhe burimor të personazheve, në mënyrë që të ketë qëndrueshmëri karakteri i dramës dhe pajtueshmëri në mardhënje me karakteret e dramës. Megjithëse, nuk shpjegohet me fjalë dramaturgjia. Duhet ndjerë drama e tyre duke e parë në skenë… Drama shkruhet ngaqë përkon me realitetin e të bëmave të njeriut në skenë, andaj quhet dramë”, tha Shatrolli.
Sa i përket mesazhit që përcjell shfaqja, ai shton:
“Që ta reduktoj në një mesazh e kam paksa të vështirë ngaqë do të isha i padrejtë ndaj një mesazhi tjetër nëse njërit i jap prioritet. Dashuria për vendin, për atdheun, për njerëzit, për familjen dhe përgjegjësia ndaj secilës kategori janë detyrim qytetar e human, besa. Hotin e kanë ‘zhdukur’ fizikisht, ndërsa veprën e tij shekullore po ta përkthejmë në terma konkret, nuk e zhduk dot askush. Ky është mesazhi më unifikues për çdo mendje. Përçarjet e fundosin, e zbehin, e thyejnë dhe e rrezikojnë misionin e veprimtarëve të përmasave botërore, siç ka bërë protagonisti i dramës”.
Në shfaqjen “Përtej Hekurave” interpretojnë aktorët Ylber Murtezi, Genci Mirzo dhe Visar Etemi, të cilët sjellin në skenë peshën emocionale, historike dhe filozofike të kësaj drame.
