Shoqata e të sëmurëve nga veshkat: Bisedoni në familje për dhurimin e organeve, 40 përqind nuk japin pëlqim sepse nuk i dinë dëshirat e të ndjerit

Në Maqedoni këtë vit deri më tani janë bërë 15 transplantime veshkash, prej të cilave 11 nga donator të gjallë dhe 4 nga donator të vdekur, thotë Dushko Gjorgiev, kryetar i Shoqatës së pacientëvetë sëmurë nga veshkat Nefron, në prag të 7 tetorit, Ditës evropiane e dhurimit të organeve. Vitin e kaluar janë kryer 22 transplante veshkash, nga të cilat 12 nga donator të gjallë dhe 10 nga donator të vdekur, transmeton Portalb.mk.

“Një dhurues mund të shpëtojë 8 jetë me dhurimin e organeve, ndërsa të shpëtojë ose përmirësojë jetën e më shumë se 100 njerëzve me dhurimin e indeve. Gjatë muajve tetor dhe nëntor do të organizohen një numër më intensiv dhe në rritje i aktiviteteve për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për dhurimin dhe transplantimin e organeve. Dita Evropiane e Dhurimit të Organeve, Indeve dhe Qelizave (EDD) synon të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për nevojën e organeve, indeve dhe qelizave dhe të promovojë parimin e dhurimit vullnetar për të shpëtuar jetë njerëzore”, thotë Gjorgiev.

Sipas të dhënave të Nefron, vitin e kaluar në vendet e Bashkimit Evropian (BE), 36 mijë pacientë kanë marrë një organ me transplantim dhe 41 mijë pacientë të rinj janë regjistruar në listat e pritjes. Në vitin 2022, mesatarisht 20 pacientë në ditë vdisnin ndërsa prisnin një transplant në Evropë.

“Diskutoni këtë temë me familjet tuaja. Një përqindje e lartë e familjeve (deri në 40%) refuzojnë të japin pëlqimin për dhurim sepse nuk e dinë dëshirën dhe vendimin e të ndjerit. Mjafton vetëm të marrësh një vendim për të dhuruar dhe ta shprehësh qartë, kur familja ta dijë vendimin tënd do të mund të plotësojë dëshirën tënde. Të gjitha bashkësitë tradicionale fetare në Maqedoni e përkrahin dhurimin vullnetar të organeve dhe indeve, duke e konsideruar si akt humanizmi dhe zgjedhje personale”, apelon Gjorgiev.

Sot në Shtëpinë Evropiane në Shkup u mbajt panel diskutimi “Ndërtimi i një sistemi funksional për dhurimin dhe transplantimin e organeve”, me ambasadorin evropian David Geer, ministrin e shëndetësisë Fatmir Mexhiti, koordinatoren nacionale Maja Mojsova-Mijovska dhe Danica Avsek, udhëheqëse e ekipit të projektit të BE-së “Mbështetje për sistemin e transplantit”.

“Vetë transplantimi shpëton jetë, por që të shpëtohet një jetë duhet të ketë familje që dhurojnë. Kur në ndarjet më të vështira nga një i dashur jep veten, është akti më i fuqishëm në jetën e njeriut. Dashuria njerëzore që nuk ka dimension. Ne e festojmë këtë ditë me shumë respekt për të gjithë donatorët dhe familjet e tyre me një mesazh të thjeshtë: ‘Ju shpëtuat jetë’, thanë Mojsova-Mijovska dhe Danica Avsek, udhëheqëse e ekipit të projektit të BE-së “Mbështetje për sistemin e transplantit”.

Procesi i transplantimit nga një donator i vdekur në Maqedoni ka filluar në vitin 2015 pas ndryshimeve ligjore që përcaktojnë këtë çështje. Progresi më i madh është bërë në vitin 2020 me fillimin e transplantimit të shumë organeve, ose transplantimit të shumë organeve nga një donator i vetëm. Atë vit është bërë transplanti i parë i zemrës, vitin tjetër janë bërë transplantet e para të indit kockor dhe vitin e kaluar për herë të parë është bërë transplanti i mëlçisë. Për një periudhë 3 vjeçare pëlqimin për dhurim kanë dhënë 19 familje dhe janë transplantuar 67 organe, përkatësisht 34 veshka, 3 mëlçi, 9 zemra dhe 20 inde kockore.