Shoqata e pacientëve kundër komisionit për operacione në RMV: Është e rrezikshme dhe shkel të drejtat e pacientëve
Njoftimet e fundit të autoriteteve shëndetësore për formimin e një komisioni që do të vendosë kush, ku dhe kur do të operohet, paraqesin një hap serioz prapa në mbrojtjen e të drejtave të pacientëve, reaguan sot përmes një komunikate nga Shoqata e pacientëve “E ardhme e shëndetshme”. Sipas tyre, kjo qasje është në kundërshtim me frymën dhe dispozitat e Kartës Evropiane për të Drejtat e Pacientëve, veçanërisht me të drejtën e qasjes, të drejtën për informim, të drejtën për pëlqim, të drejtën e zgjedhjes së lirë, të drejtën për respektimin e kohës së pacientit, të drejtën për shërbim shëndetësor cilësor dhe të sigurt, si dhe të drejtën për trajtim të personalizuar, transmeton Portalb.mk.
Shoqata ekziston prej 16 vitesh dhe ka disa qindra anëtarë, ndër të cilët më të shumtët janë pacientë kardiovaskularë dhe anëtarë të familjeve të tyre.
“Këto të drejta nuk guxojnë të kufizohen me vendime administrative të marra pas dyerve të mbyllura. Një komision i tillë nuk do të funksionojë, sepse do të krijojë pengesë shtesë administrative në situata kur nevojitet vendim i shpejtë mjekësor, do ta kufizojë të drejtën e pacientit për të zgjedhur mjekun, klinikën dhe institucionin ku ka besim, do ta zvogëlojë përgjegjësinë e ekipit konkret mjekësor dhe do ta transferojë vendimin te një trup që nuk mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë klinike”, thuhet në reagim.
Meta bisedoi me Zoran Mitev, anëtar i kësaj shoqate, i cili konsideron se një komision i tillë nuk duhet të ekzistojë as për rastet urgjente e as për ato jo urgjente.
“Më parë ekzistonte një komision i ngjashëm dhe ai ishte i ekspozuar ndaj vendimeve korruptive. Një komision i tillë po vendoset më shumë që ata të tregojnë kush është për operacion e kush jo. Pacienti duhet të ketë të drejtë për mendim të dytë. Kjo duhet të jetë protokoll, ashtu siç është në Greqi, për shembull. Një komision i tillë nuk duhet të ekzistojë as për rastet urgjente dhe as për ato jo urgjente”, thotë Mitev, duke shtuar se përfaqësues të shoqatës kanë kërkuar takim në Ministrinë e Shëndetësisë, por ende nuk është realizuar.
Javën e kaluar, ministri Azir Aliu njoftoi se përmes një komisioni të brendshëm, si dhe një komisioni ndërkombëtar të përbërë nga mjekë kardiologë, është konstatuar se te 9 nga 13 pacientë janë kryer pa nevojë operacione dhe ndërhyrje në zemër. Ai tha gjithashtu se është bërë analizë e ndërhyrjeve kardiologjike që kanë qenë objekt i kontrollit profesional për të parë nëse vendimet për shëndetin e tyre janë marrë mbi bazën e nevojës mjekësore.
Është formuar një komision i brendshëm me ekspertë të lartë, i përbërë nga 9 mjekë, juristë dhe ekonomistë, përfaqësues të ministrisë dhe Fondit për Sigurim Shëndetësor.
“Komisioni mbajti 16 takime pune dhe shqyrtoi në detaje 20 raste, ndërsa te 13 prej tyre u konstatuan dyshime për operacione të kryera pa nevojë. Më pas u formua edhe një komision ndërkombëtar me mjekë nga Italia dhe Sllovenia. Gjetjet e tyre përputhen me ato të komisionit vendor. Nga 13 rastet që lidhen me dyshime për dërgim të panevojshëm në operacion, në 4 raste ekspertët e huaj konstatuan se trajtimi i ofruar ishte mjekësisht i përshtatshëm. Ndërsa te 9 pacientët dokumentacioni tregon gjetje të dyshimta gjatë diagnostikimit, mospërputhje mes gjetjeve angiografike dhe raportit me shkrim. Lidhur me këto raste, ekspertët e huaj thanë se disa aspekte kanë qenë nën standardet e pritura dhe kanë ndikuar negativisht në rezultatin klinik. Rastet e analizuara kanë të bëjnë me ndërhyrje të realizuara në institucione publike dhe private: Klinika e Kardiologjisë, Kardiokirurgjia Shtetërore, Spitali Klinik i Shtipit, “8 Shtatori”, “Zhan Mitrev” dhe “Sistina””, deklaroi Aliu.
Ai paralajmëroi gjithashtu se do të ketë një listë kombëtare të operacioneve kardiokirurgjike, për të pasur pasqyrë mbi ndërhyrjet elektive dhe renditjen e referimeve.
“Rastet urgjente do të kenë prioritet dhe për to nuk do të ketë vonesa administrative. Do të dihet kush, kur dhe mbi çfarë baze është referuar pacienti për ndërhyrje”, tha ministri.