Shkupi u shpall “Kryeqytet evropian i kulturës” për vitin 2028

Kryeqyteti i Maqedonisë sot pasdite është shpallur Kryeqytet evropian i kulturës për vitin 2028. Shkupi është një nga tre kryeqytetet evropiane të kulturës dhe ky lajm përkon edhe me përkujtimin e 65 vjetorit të tërmetit të Shkupit të vitit 1963. Përveç Shkupit, kryeqyteti i kulturës evropiane tashmë është shpallur edhe qyteti çek Çeske Bugjejovice, ndërsa kryeqyteti i tretë do të zgjidhet më 13 dhjetor në garë mes qyteteve franceze Bourges, Clermont-Ferrand, Montpellier dhe Ruen, transmeton Portalb.mk.

Në shpalljen e sotme të Kryeqytetit të Kulturës Evropiane për vitin 2028 morën pjesë kryetarja e Shkupit Danela Arsovska dhe ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska. Delegacioni i vendit tonë e përshëndeti njoftimin me duartrokitje. Shkupi konkurroi për titullin me qytetin malazez të Budvës, ku të dy qytetet hynë në fazën përfundimtare të përzgjedhjes midis qyteteve të vendeve anëtare të EFTA-s, Komunitetit Ekonomik Evropian dhe kandidatëve për anëtarësim në BE.

“Paneli dëshiron të falënderojë dy ekipet, Shkupin dhe Budvën, që të dy keni bërë një përpjekje të jashtëzakonshme. Faleminderit për punën tuaj, për përkushtimin tuaj, për vizionin tuaj dhe të dy keni krijuar një trashëgimi të jashtëzakonshme në vendet tuaja. Paneli diskutoi dhe mori një vendim. Qyteti që është përzgjedhur për kryeqytet të kulturës evropiane është Shkupi”, është vendosur në mbledhjen e sotme të mbajtur në Komisionin Evropian në Bruksel.

Bartës i aplikacionit është institucioni publik Salla Universale, ndërsa projekti financohet nga Qyteti i Shkupit. Titulli i fituar është i një rëndësie të madhe, sepse do të sjellë afirmim të kulturës së vendit në të gjitha segmentet e saj, nga trashëgimia kulturore deri te arkitektura bashkëkohore dhe artet skenike. Titulli “Kryeqyteti evropian i kulturës” është një mundësi për zhvillimin e skenës së pavarur, të operatorëve dhe institucioneve kulturore, si dhe të individëve, por edhe të një numri të madh ngjarjesh që do të zhvillohen në vitin 2028 në kryeqytetin e Maqedonisë.