Shkupi po mbytet në ajër të ndotur: Në Gazi Babë, Lisiçe dhe Qendër, grimcat PM-10 deri në katër herë mbi kufirin e lejuar

Përqendrimet e ndotësve në ajër në Shkup kanë ngritur alarmin për ndotje të lartë të ajrit. Sistemi shtetëror automatik i monitorimit të cilësisë së ajrit i Ministrisë së Mjedisit informon se është tejkaluar pragu për grimcat PM-10 në pikat matëse në Shkup – Qendër, Gazi Babë, Gjorçe Petrov, si dhe në Tetovë, Prilep dhe Kavadar. Mëngjesin e sotëm ka pasur njoftim nga kjo Ministri për tejkalim të pragut të alarmit me praninë e grimcave PM-10 në Kërçovë dhe Strumicë, transmeton Portalb.mk.

Në stacionin matës Lisiçe dje është regjistruar prania e grimcave PM-10 deri në 233.21 mikrogramë për metër kub, ndërsa në Qendër është matur ndotja shumë e lartë prej 183.24 mikrogramë për metër kub. Niveli alarmant i grimcave PM-10 dje është regjistruar në Strumicë (206,12 µg/m3), Kërçovë (179,96 µg/m3) dhe komunën e Shkupit, Gazi Babë (150,34 µg/m3). Për kujtesë, përqendrimi mesatar ditor i lejueshëm i grimcave PM-10 në ajër është 50 mikrogramë për metër kub.

Ajër të ndotur sot kanë thithur edhe qytetarët në Shkup. Të dhënat nga Sistemi Automatik Shtetëror i Monitorimit të Cilësisë së Ajrit të Ambientit tregojnë se prania e grimcave PM-10 në ajër është alarmante në Qendër, ku stacioni matës ka matur 170.2 mikrogramë për metër kub në orën 10:00, ndërsa këto grimca ndotëse në Lisiçe gjatë të njëjtën periudhë ishin 159.1 mikrogramë për metër kub. Kjo paraqet një nivel të lartë të ndotjes së ajrit. Prezenca e grimcave PM-10 në ajër prej mbi 100 mikrogramë për metër kub është matur sot në mëngjes edhe në stacionet tjera matëse në Shkup.

Mëngjesin e sotëm ajr i ndotur ishte edhe në Strumicë, ku në orën 10 janë matur përqendrimet e grimcave PM-10 në 263.3 mikrogramë për metër kub. Në Ohër janë matur 197,2 µg/m3, ndërsa në Tetovë është regjistruar prania e PM-10 në sasi prej 116,85 mikrogramë për metër kub.

Për rikujtim, qeveria aktivizon masat për mbrojtjen nga rritja e ndotjes së ajrit nëse, në dy ditë radhazi, prania e grimcave PM-10 në ajër është mbi 150 mikrogramë për metër kub. Ky është i ashtuquajturi pragu i alarmit. Prej mëngjesit të sotëm është tejkaluar pragu i alarmit në Strumicë dhe Kërçovë.

Nga ana tjetër, pragu i njoftimit aktivizohet kur vlera e grimcave PM-10 kalon 100 mikrogramë për metër kub (µg/m3) gjatë dy ditëve radhazi. Pragu informativ është tejkaluar në Qendër, Gazi Babë, Gjorçe Petrov, Tetovë, Prilep dhe Kavadar. Nëse kjo situatë vazhdon, nga nesër do të kalohet pragu i alarmit në këto komuna.

Ajo që përbën shqetësim të veçantë janë përqendrimet e larta të grimcave PM-2.5 në ajër, të cilat janë më të rrezikshmet. Vlerat maksimale të lejuara mesatare ditore duhet të jenë deri në 25 mikrogramë për metër kub. Mirëpo, mëngjesin e sotëm në stacionin matës Lisiçe në Shkup janë matur 67,9 mikrogramë për metër kub grimca PM-2,5. Në Gjorçe Petrov është matur përqendrim prej 106,99 mikrogramë për metër kub. Koncentrime të larta të grimcave PM-2.5 nga stacionet matëse të Ministrisë së Mjedisit janë regjistruar mëngjesin e sotëm edhe në Strumicë, Manastir dhe Tetovë.

Stacionet matëse në Qendër, Karposh dhe Rektorat, si dhe në Prilep, Ohër, Berovë dhe Gjevgjeli, nuk japin fare të dhëna për përqendrimin e grimcave PM-2.5.

  • Autoritetet kompetente rekomandojnë:
  • Përdorimin e transportit publik;
  • Të ulet përdorimi i automjeteve;
  • Më shumë persona të udhëtojnë me një automjet në të njëjtën kohë;

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik rekomandojnë lëvizje dhe aktivitete të kufizuara në hapësira të hapura për popullatën më vulnerabël (fëmijët, të moshuarit, pacientët me sëmundje kronike të sistemit pulmonar dhe kardiovaskular, me rrezik të veçantë për pacientët me astmë pulmonare), por edhe për personat që e kryejnë angazhimin e tyre profesional në një hapësirë ​​të hapur në zonat e ndotura të qytetit.