Shkupi për herë të parë do të jetë nikoqir i “Panairit të Librit Shqip”, dhjetëra botues dhe mijëra tituj në zemër të qytetit

Për herë të parë në Shkup do të organizohet “Panairi i Librit Shqip, Shkup 2026”, një ngjarje e madhe kulturore që synon ta afrojë librin shqip me qytetarët, autorët, botuesit dhe dashamirësit e leximit. Për katër ditë me radhë, nga 4 deri më 7 qershor, Shkupi do të jetë nikoqir i librit shqip, duke u ofruar qytetarëve një mundësi të veçantë për të qenë më afër kulturës, letërsisë dhe botës së dijes. Panairi do të mbahet në ambient të hapur, në Sheshin Skënderbe, një nga hapësirat më simbolike të kryeqytetit, shkruan Portalb.mk.

Kryetari i Këshillit të Komunës së Çairit, Muhamed Murtezi për Portalb.mk tha se ky panair vjen si përgjigje ndaj një mungese të gjatë që Shkupi ka pasur në raport me promovimin e librit shqip.

“Ka një kohë të gjatë që Shkupit i mungon organizimi i panairit të librit shqip, e që realisht e kemi parë si një nevojë të madhe për një qytet siç është Shkupi. Këtë barrë dhe përgjegjësi sivjet e ka marrë përsipër Komuna e Çairit në bashkëpunim me Institutin e Librit dhe të Promocionit nga Tirana, duke e sjellë librin shqip në Çair dhe Shkup, në ngjarjen e quajtur Panairi i Librit Shqip SHKUPI 2026, në datat prej 4 deri me 7 qershor, në mjedis të hapur, te Sheshi Skenderbe. Në këtë ngjarje madhështore të librit pritet të marrin pjesë rreth 50 (pesëdhjetë) botues të mirënjohur nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria, ndërsa numri i titujve që do të paraqiten në këtë panair sigurisht do të jetë disa mijëra sosh, në fusha e zhanre të ndryshme, që nga literatura për fëmijë e deri te literatura profesionale shkencore. Gjithashtu, përveç karakterit ekspozues të titujve nga botuesit, ky panair do të ketë një program të ngjeshur të promovimit të librave të ndryshëm, të takimeve e bisedave autorë-lexues dhe të ngjarjeve tjera që do të organizohen rreth librit, të cilat besojmë fuqishëm do ta zgjojnë kërshërinë e lexuesve dhe vizitorëve”, deklaroi Murtezi.

Ai nënvizoi se përmes panairit synohet përcjellja e mesazhit se ruajtja dhe zhvillimi i gjuhës, kulturës dhe identitetit kalon përmes librit dhe merr forcën përmes dijes e leximit.

“Në këtë kohë dinamike e të teknologjisë që po jetojmë, duam që ky panair të shërbejë si një pikë kthese kah libri dhe leximi, drejt vlerësimit të mirëfilltë të dijes dhe mendimit të shëndoshë. Dhe, po ashtu, se qytetarët e Çairit dhe Shkupit e meritojnë një ngjarje të tillë, domethënëse e të rëndësishme, sikur panairi i librit shqip”, deklaroi Murtezi.

Ai shtoi se “Panairi i Librit Shqip” nuk është vetëm një aktivitet kulturor, por edhe rikthim i librit shqip në zemër të Shkupit.

“Gjithsesi po, ky edhe është një synimet tona kryesore, sepse libri e leximi janë shtyllë e rëndësishme e ekzistimit, ngritjes dhe zhvillimit tonë. E dini, ka pasur përpjekje edhe më herët për ta ‘mbajtur gjallë’ librin shqip në Çarshinë e Vjetër dhe përgjithësisht në Çair, por që janë zbehur me kalimin e kohës. Po bëhen përpjekje institucionale në nivel të Komunës së Çairit që gjendja të përmirësohet, në njërën anë përmes hapjes së leximoreve dhe mbështetjes së botimeve të ndryshme, ndërsa tani edhe me organizimin e një ngjarje kaq të rëndësishme sikur është Panairi i Librit Shqip në zemër të Shkupit. Përndryshe, të theksojmë edhe faktin se kjo ngjarje dhe festë e librit shqip është pjesë e aktiviteteve më gjithëpërfshirëse, ‘Vera Kulturore e Çairit’, e cila do të zgjasë gjatë gjithë muajit qershor, e që do të ketë shtrirje edhe në muajt korrik e gusht të këtij viti. Një verë kjo me plot kulturë, art, muzikë e sport në zemër të Çarshisë së Vjetër dhe Çairit”, tha Murtezi.

Duke folur për atë që i ka munguar deri tani Shkupit në promovimin e librit shqip, Murtezi tha se ka pasur nisma edhe më herët, por ato me kalimin e kohës janë zbehur. Faktorët për këtë  shtoi ai, mund të jenë të ndryshëm, përfshirë këtu edhe interesimin e pamjaftueshëm të lexuesve për atë që u është ofruar me vite.

Synimi është që ky panair të mos mbetet aktivitet i njëhershëm, por të shndërrohet në traditë të përvitshme dhe në një adresë të rëndësishme për autorët, botuesit dhe lexuesit shqiptarë.

“E dimë se Çarshia e Vjetër ka pasur librari të librave shqip, por që janë mbyllur. Pastaj, nuk duhet harruar edhe panairet e librit shqip të organizuara nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë në fillimet e viteve dymijë. Por, vlerësojmë se është koha e fundit të bëjmë diçka më shumë për librin shqip në veçanti dhe për kulturën shqiptare në përgjithësi, ndërsa ne si Komunë e Çairit do të bëjmë maksimumin tonë që kjo të bëhet realitet. Dhe më shumë se nevojë e kohës, kujtojmë se kjo paraqet një domosdoshmëri. Po, synimi ynë është që ky panair i librit të mos mbetet vetëm një aktivitet i parë dhe i fundit, por i njëjti të shndërrohet në një ngjarje tradicionale vjetore, duke u përfshirë kështu në kalendarin e organizimit të panaireve të librit shqip në të gjitha viset shqiptare. Kjo sepse dashamirët e librit dhe qytetarët tanë meritojnë një grumbullim dinjitoz të botuesve shqiptarë, nga të gjitha trojet tona, në një panair libri në zemër të Çairit dhe Shkupit”, deklaroi Murtezi.

Me pjesëmarrjen e botuesve nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria, si dhe me mijëra tituj që do të prezantohen për publikun, ky panair synon të vendosë një traditë të re kulturore në kryeqytet dhe ta rikthejë librin shqip në vëmendjen e qytetarëve.