Shkupi bëhet skenë e filmit shqiptar, rikthehet filmi “Përrallë nga e kaluara”
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Shkup, në bashkëpunim me Institutin Francez, organizon një mbrëmje të veçantë kinematografike kushtuar filmit shqiptar. Sonte, më 4 prill, duke filluar nga ora 18:00, në hapësirat e Kinotekës së Shkupit do të shfaqet filmi klasik “Përrallë nga e kaluara”, me regji nga Dhimitër Anagnosti, shkruan Portalb.mk.
Ky film ikonë, i frymëzuar nga komedia e njohur “14 vjeç dhëndër” e Andon Zako Çajupit, është shumë më tepër se një histori e thjeshtë, është një pasqyrë e kohës, zakoneve dhe mentalitetit të një epoke, e treguar me mjeshtëri, humor dhe ndjeshmëri të rrallë.
Në qendër të rrëfimit është një martesë e detyruar që shndërrohet në një histori të papritur dashurie, ku përplasjet mes traditës dhe ndjenjës njerëzore krijojnë situata sa komike aq edhe prekëse. Personazhet e paharrueshme dhe dialogët brilantë e bëjnë këtë film një përjetim që mbetet gjatë në mendje.
I vlerësuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, “Përrallë nga e kaluara” konsiderohet si një nga gurët themelorë të filmit shqiptar dhe një ndër veprat më të suksesshme të ekranit të madh.
Për ta bërë përvojën edhe më gjithëpërfshirëse, filmi do të shfaqet me titra në gjuhën frënge dhe maqedonase, duke hapur dyert për një audiencë më të gjerë ndërkombëtare.
Kjo mbrëmje nuk është vetëm një shfaqje filmi, është një rikthim në rrënjë, një udhëtim emocional dhe kulturor që lidh brezat dhe i jep jetë trashëgimisë sonë artistike në zemër të Shkupit.
Biletat janë tashmë në dispozicion pranë Kinotekës së Shkupit.