Nga piano te dirigjimi: Liburn Jupolli rrëfen universin e tij muzikor

Liburn Jupolli është një nga emrat më të veçantë të skenës muzikore shqiptare bashkëkohore, një artist që nuk e sheh muzikën si kufizim zhanresh, por si një hapësirë të lirë eksplorimi dhe komunikimi. Si kompozitor, pianist, dirigjent dhe profesor universitar, ai ndërton një univers të vetin artistik, ku tingulli, mendimi dhe përvoja ndërthuren në mënyrë organike. Në një bisedë për Portalb.mk, ai foli për procesin e tij krijues, raportin me instrumentin, rolin e tij si pedagog dhe projektin e ri muzikor që pritet të publikohet së shpejti.

Portalb.mk: Çfarë ju shtyn realisht të krijoni muzikë sot: nevoja për të shprehur veten, për të lënë gjurmë, apo për të sfiduar kohën në të cilën jetojmë?

Liburn Jupolli: Krijimi i muzikës vjen si një pjesë integrale e qenies sime, jo thjesht si produkt, nevojë apo aksion. Për mua, muzikimi është një pjesë njëkohësisht komplekse dhe e thjeshtë e jetës së përditshme, përmes së cilës komunikoj me sfera të ndryshme të jetës sime.

Portalb.mk: Kur jeni dirigjent, a ndodh që mendoni si kompozitor dhe doni ta “ndryshoni” veprën gjatë provave?

Liburn Jupolli: “Rolet” klasike nuk kanë qenë pjesë e mënyrës sime të punës. Unë nuk mendoj sipas një roli të caktuar, por ndjek rrugën që përshkon përvoja tingullore dhe muzikore gjatë krijimit. Në këtë proces, dëgjimi, prania dhe aktiviteti i shkrimit, improvizimit, performimit dhe editimit ndjekin çdo herë një trajektore të veçantë, varësisht nga mendimi muzikor që zhvillohet.

Portalb.mk: Si pianist, çfarë ju jep instrumenti që nuk ua jep kompozimi apo dirigjimi, dhe anasjelltas?

Liburn Jupolli: Instrumenti, për mua, është një ndërmjetësues, një zgjatim dhe një formë jetësimi e imagjinatës muzikore. Në këtë perspektivë, instrumenti të ndihmon të dëgjosh një pjesë të imagjinatës, por edhe vetë imagjinatën përmes timbrit specifik që ka pianoja. Ky timbër ka mundësi të mëdha shprehëse dhe nuk është aspak i kufizuar në vetvete.

Ndërsa kompozimi dhe elementet e tjera, si dirigjimi i ansamblit tim dhe i grupeve të tjera, janë përvoja të ndryshme. Kompozimi ofron më shumë mundësi, sepse paleta e tingujve nuk është e paracaktuar. Ndërsa dirigjimi, organizimi dhe bashkëperformimi, sidomos me teknikat e reja që përdor në Liburn Jupolli Ensemble, përbëjnë një përvojë krejt tjetër.

Foto nga arkivi personal i Liburn Jupollit. Foto: Liburn Jupolli (Facebook)
Foto nga arkivi personal i Liburn Jupollit. Foto: Liburn Jupolli (Facebook)

Portalb.mk: Si profesor universitar, çfarë është më e vështirë sot: t’i mësoni studentët teknikën, apo t’u krijoni guxim për të pasur zë të vetin?

Liburn Jupolli: Të dyja duhet të ecin gradualisht së bashku. Ndonëse teknika mund të shpjegohet në mënyrë më të drejtpërdrejtë, krijimi i vetëbesimit te studenti kërkon më shumë kohë. Vetëbesimi nuk vjen vetëm përmes shpjegimit apo inkurajimit verbal. Studenti duhet të mbështetet gjatë procesit të të nxënit, duke i dhënë liri shprehjeje, duke i krijuar mekanizma teknikë dhe, në të njëjtën kohë, referenca që e ndihmojnë të kuptojë se ajo që bën nuk është e izoluar. Puna e tij apo e saj mund të qëndrojë e barabartë me atë të krijuesve të tjerë. Nëse studenti është i përkushtuar, kjo realizohet gradualisht dhe e çon drejt një pjekurie më të madhe si krijues.

Portalb.mk: A po prodhon universiteti muzikantë “të saktë” teknikisht, apo artistë me identitet?

Liburn Jupolli: Mendoj se duhet ende kohë për ta parë më qartë këtë rezultat. Deri tani, besoj se universiteti synon të krijojë artistë që i kanë të dyja: saktësinë teknike dhe identitetin artistik.

Portalb.mk: Kur flasim për muzikën klasike bashkëkohore shqiptare, çfarë e bën atë “shqiptare”: gjuha e tingullit, temat, tradita, apo përvoja jonë shoqërore?

Liburn Jupolli: Mendoj se janë të gjitha këto, por edhe më shumë se kaq. Gjuha luan një rol shumë të rëndësishëm. Muzika shqiptare është identifikuese edhe përmes autorit dhe përvojës së tij. Në studimet e mia për dokumentimin e muzikës sonë, kam mbledhur një listë me rreth 150 kompozitorë profesionistë mbarëshqiptarë. Mes tyre ka edhe kompozitorë që nuk janë rritur fare në trojet shqiptare, por flasin shqip, e duan shqipen dhe kanë lidhje me kulturën tonë. Edhe kjo e bën muzikën e tyre shqiptare. Pra, lidhja me kulturën tonë është një indikator i rëndësishëm. Këto janë vetëm disa prej elementeve. Muzika shqiptare duhet konceptuar më gjerësisht në këtë kontekst, sepse muzikantët dhe zhvillimet në muzikën shqiptare sot janë shumë më globale dhe më të avancuara.

Portalb.mk: Shumë shpejt do të publikoni një album të ri me muzikë për piano. Kur pritet të dalë zyrtarisht dhe çfarë mund të na zbuloni ekskluzivisht për këtë projekt?

Liburn Jupolli: Albumi do të publikohet gradualisht, këngë pas kënge, në YouTube dhe Spotify. Është një album për piano solo dhe përfshin një seri veprash të veçanta, të dedikuara për bashkëshorten time, Edita Pozhegu. Veprat janë në një stil minimalist, jazz dhe cinematic, dhe janë shkruar gjatë katër-pesë viteve të fundit. Të gjitha i kam performuar vetë në piano, si dhe i kam incizuar dhe prodhuar po ashtu vetë. Publikimi i plotë i albumit pritet të bëhet në format CD dhe vinyl, pasi të jenë publikuar të gjitha veprat një nga një gjatë këtij viti.

Foto nga arkivi personal i Liburn Jupollit. Foto: Liburn Jupolli (Facebook)
Foto nga arkivi personal i Liburn Jupollit. Foto: Liburn Jupolli (Facebook)