Shkup, u hap hetimi për gjashtë persona për trafikim droge
Pas ndalimit afatshkurtër dhe mbledhjes së të gjitha provave të nevojshme, prokurori publik kompetent nga Prokuroria Themelore Publike- Shkup, sot zyrtarisht hapi hetim kundër gjashtë personave për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ata kanë kryer një vepër penale të vazhdueshme – Prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve sipas nenit 215 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 dhe në lidhje me nenin 45 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
Nga PTHP njoftojnë se në periudhën nga 01.05.2025 deri më 03.07.2025, gjashtë të dyshuarit së bashku, në disa raste, me dashje kanë kryer veprime të shumëfishta të lidhura në kohë që përbëjnë kryerje të shumëfishtë të së njëjtës vepër penale – trafikim droge, duke përfituar nga e njëjta marrëdhënie e përhershme dhe rrethana të njëjta ose të ngjashme.
“Ata shitën ose poseduan në mënyrë të paligjshme me qëllim shitjeje drogën narkotike – amfetaminë në një masë neto totale prej afërsisht 6.5 kilogramësh, drogën narkotike – marihuanë në një masë neto totale prej 257 gramësh, si dhe – 98 tableta të substancës psikotrope 3,4-metilen-dioksimetamfetaminë (MDMA). Procedura paragjyqësore kundër të dyshuarve zgjati disa muaj dhe një pjesë e provave u sigurua duke zbatuar masa të posaçme hetimore. Më 3 korrik, të gjithë të dyshuarit u privuan nga liria në një veprim të koordinuar, gjatë të cilit, me kërkesë të prokurorit publik dhe në bazë të urdhrave të siguruar më parë nga një gjyqtar i procedurës paraprake, u kryen kontrolle në disa lokacione në Shkup dhe Kumanovë”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Gjatë kontrolleve, shkruan tutje në njoftim, përveç drogave dhe substancave psikotrope të përmendura më parë, u gjetën dhe u sekuestruan sasi dhe pako shtesë marihuane, hashashi, amfetaminë, kokainë, tableta të ndryshme, disa peshore dixhitale, sende të tjera dhe para të gatshme.
Prokurori Publik sot i paraqiti propozim gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Penale në Shkup për përcaktimin e masës së paraburgimit efektiv për të gjashtë të dyshuarit.