Shkup, klinika ka fshehur nga nëna foshnjën me frakturë në krah, do të formohet komision i posaçëm

Drejtoresha e Klinikës për Gjinekologji, Viktorija Jovanovska, paralajmëroi formimin e një komisioni të posaçëm në repartin e gjinekologjisë, i cili do të shqyrtojë në detaje rastin e të porsalindurit të familjes Damjanovski dhe do t’i hetojë arsyet e thyerjes së krahut të foshnjës, transmeton Portalb.mk.

Prindërit paraprakisht në një prononcim për portalin “Skopje1” kanë pohuar se stafi është përpjekur ta mbulojë rastin dhe se nuk kanë lejuar ta shohin fëmijën e tyre.

Jovanovska pohon se janë respektuar të gjitha protokollet mjekësore dhe sipas saj, gjatë periudhës së vëzhgimit, procedura standarde është mos zbulimi i informatave në kohë reale për prindërit.

Nëna Aneta Damjanovska, e cila ka lindur më 31 dhjetor, nuk ka mundur ta shohë foshnjën e saj pasi nuk ia kanë lejuar mjekët. Bashkëshorti i saj Bllagojçe Damjanovski tregon se ai është përjashtuar nga Klinika Gjinekologjike dhe Obstetrike ku si të gjithë prindërit ka kërkuar ta shohë foshnjën e tij. Sipas deklaratave të tij, pas një sërë këmbënguljesh, vetëm nëna ka arritur të shkojë tek foshnja, ku i është thënë se ka thyer krahun.

Sipas Jovanovska, shkak ka qenë pozita e keqe e foshnjës dhe se në një situatë të tillë është një ndërlikim i paraparë që nuk ndodh shpesh.