Sërish radhë gjatë vendosjes në konviktet e studentëve në Shkup, qiraja më e lartë për 300 denarë

Qindra studentë në Shkup, në RMV, me valixhet dhe çantat e tyre në duar sot prisnin në radhë për të hyrë në konviktin e studentëve “Goce Dellçev”. Autoritetet  nuk e realizuan  premtimin për digjitalizimin e evidentimit të studentëve gjatë regjistrimit në konviktin e studentëve, prandaj banorët e konvikteve prisnin radhë për ta dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm dhe për tu vendosur nëpër dhomat e tyre,raporton Meta.mk ,transmeton Portalb.mk.

Çmimet e akomodimit këtë vit janë më të larta se vitin e kaluar. Nëse një student për qëndrim në konviktin“Goce Dellçev” vitin e kaluar ka paguar 3.645 denarë, këtë vit paguan 3.945 denarë,

“Unë jam nga Velesi, jam regjistruar në Fakultetin Ekonomik. Pres radhë për t’i marrë dokumentet, të cilat duhet t’i plotësoj dhe t’i dorëzoj brenda, e pastaj të më shoqërojnë deri në dhomë. Për qiranë dhe ushqimin pagova 3.945 denarë, për punë administrative 1.200 denarë dhe për kartën e studentit 300 denarë, por mund të them se vitin e kaluar nuk më ka shërbyer fare”, tha Ana B., studente në vitin e tretë.

Studentët prisnin në radhë për të marrë dokumente, të cilat më pas duhej t’i plotësonin për të marrë një dhomë në konvikt.

Studentët me të cilët bisedoi Meta.mk reaguan për faktin që Ministria e Arsimit dhe Shkencës i ka hequr  rezultatet e Konkursit për pranimin e studentëve nga uebfaqja e saj.

“Bëra mirë që dje i shkarkova rezultatet sapo u publikuan, e kështu mund t’i analizoja. Këtu sot ka shumë studentë që nuk e dinë nëse janë pranuar, por përsëri presin në radhë, pikërisht sepse nuk kanë se ku të informohen nëse janë pranuar apo jo. Nuk është e drejtë që i hoqën”, tha një student nga Prilepi.

Rezultatet e publikuan e më pas u hoqën.

Dje personat përgjegjës në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës fillimisht i publikuan,  e pastaj i hoqën nga uebfaqja e tyre listat e studentëve të pranuar. Uebfaqja e Ministrisë gjatë gjithë ditës, përderisa kishte qasje në rezultatet, funksiononte me vështirësi ndërsa qasja në uebfaqe herë pas here ishte e pamundur. Nga Ministria  njoftuan se do t’i publikojnë sërish edhe në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe.

Sa i përket çmimit të qirasë dhe ushqimit drejtori i Konviktit Shtetëror të Studentëve – Shkup (KSHS), Viktor Velevski, tha se çmimi për ushqimin dhe akomodimin është për 300 denarë më i lartë për shkak të shpenzimeve më të larta për jetesë.

“Është shtrenjtuar energjia elektrike, uji, ushqimi dhe ngrohja. Realisht një student na kushton shumë më shumë se shuma prej 3.945 denarë. Ka shumë studentë që janë të liruar nga pagesa, e këta janë fëmijët e prindërve vetëushqyes, të veteranëve, të personave me gjendje të pavolitshme sociale”, tha Velevski.

Digjitalizimi do të presë.

Sa i përket premtimit për digjitalizimin e procesit të akomodimit, Velevski sqaron se listat e studentëve të pranuar i krijon Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe më pas ia dërgon KSHS-së.

“I gjithë sistemi nuk është i yni, ne nuk mund të qasemi në atë sistem. Kemi kërkuar që MASH që të na përfshijë edhe në komisionet që vendosin për akomodimin. Ndodh, për shembull, që dy binjakë, njërin ta vendosim në një konvikt, ndërsa tjetrin në një tjetër. Pra, ne duhet t’i zgjidhim këto gjëra, por ne nuk kemi autoritet t’i zgjidhim ato. Njësoj është edhe me digjitalizimin, Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk e pranoi atë që ne e kërkuam dhe për këtë arsye ka radhë të studentëve që presin të vendosen në konvikt”, sqaroi Velevski.

Akomodimi në konviktet “Stiv Naumov” dhe “Goce Dellçev” do të zgjasë dhjetë ditë. Konvikti “Kuzman Josifovski Pitu” këtë vit nuk do të pranojë studentë për shkak të renovimeve që bëhen në të. Këto tri konvikte janë nën juridiksionin e KSHS – Shkup, ndërsa “Pellagonia” dhe “Tome Stefanovski Seniq” janë subjekte të veçanta juridike.

“Në “Goce Dellçev” ka 1.176 vende, tani janë plotësuar 960. Vendet  e tjera MASH-i i len të lira për studentët e vitit të parë. Interesimi është më i madh për këtë konvikt sepse këtu kushtet për banim janë më të mira. Në Stiv Naumov godinat një dhe dy janë jashtë funksionit që nga viti 2019. Atje funksionon godina e tretë, në të këtë vit do të ketë studentë, por do të jetë me gjysmë kapaciteti, d.m.th. do të vendosen 359 studentë, ndërkohë që vend ka për 620. Kjo bëhet për shkak të problemeve me rrjetin e kanalizimit që e bën të pamundur përdorimin e tualeteve për shkak se bllokohen. Aty ka edhe pavijone ku kapaciteti është 138, e që çdo vit mbushen deri në vendin e fundit. Kemi lënë dhoma të veçanta për personat me aftësi të kufizuara, ku çdo gjë është e përshtatur për ta”, informoi Velevski.