Shkrimtari hungarez Laszlo Krasznahorkai e fitoi Nobelin për Letërsi

Shkrimtari hungarez Laszlo Krasznahorkai, është fituesi i “Nobelit” për letërsi. Ai është shpallur fitues me arsyetimin: “për veprën e tij të fuqishme dhe vizionare, e cila, në mes të tmerrit apokaliptik, riafirmon fuqinë e artit”, shkruan Portalb.mk.

Krasznahorkai u bë i njohur me romanin e tij debutues “Satantango” i publikuar më 1985, një portret i zymtë dhe magjepsës i një komuniteti rural në rrëzim. Romani do të fitonte çmimin “Best Translated Book” (Libri më i mirë i përkthyer në gjuhën angleze) gati tre dekada më vonë, në vitin 2013.

Shpesh i përshkruar si postmodern, Krasznahorkai njihet për fjalitë e tij të gjata dhe të përdredhura, temat distopike dhe melankolike, si dhe për intensitetin e pamëshirshëm që ka bërë që kritikët ta krahasojnë me Gogolin, Melvillein dhe Kafkën. “Sátántangó” u adaptua në film shtatëorësh nga regjisori Béla Tarr, me të cilin Krasznahorkai ka pasur një bashkëpunim afatgjatë.

Karriera e Krasznahorkait është formësuar po aq nga udhëtimet sa edhe nga gjuha. Ai u largua për herë të parë nga Hungaria komuniste në vitin 1987, duke kaluar një vit në Berlinin Perëndimor me një bursë, dhe më vonë gjeti frymëzim në Azinë Lindore veçanërisht në Mongoli dhe Kinë – për vepra të tilla si “The Prisoner of Urga” (I burgosuri i Urgës) dhe “Destruction and Sorrow Beneath the Heavens” (Shkatërrim dhe trishtim nën qiejt).

Çmimi Nobel u themelua në bazë të testamentit të Alfred Nobel, i cili u pasurua nga shpikja e dinamitit. Që nga viti 1901, me disa ndërprerje, këto çmime çdo vit nderojnë arritjet në shkencë, letërsi dhe paqe. Më vonë është shtuar edhe Çmimi Nobel për Ekonomi.

Fituesit e Nobelit marrin edhe nga 1.2 milion dollar. Në mesin e shkrimtarëve që kanë marrë këtë çmim janë edhe poeti dhe eseisti francez Sully Prudhomme, që mori çmimin e parë, novelisti amerikan William Faulkner, kryeministri britanik i Luftës së Dytë Botërore Winston Churchill, shkrimtari turk Orhan Pamuk dhe norvegjezi Jon Fosse.

Vitin e kaluar Nobelin për Letërsi e fitoi autorja nga Koreja e Jugut, Han Kang, duke u bërë gruaja e 18-të që e ka fituar këtë çmim.