Nuk ka zgjedhje në Tiranë, u zbardh vendimi i Kushtetueses për ankesës së Veliajt

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin lidhur me kërkesën e paraqitur nga Erion Veliaj, që kërkon shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra si kryetar i Bashkisë Tiranë, si dhe shfuqizimin e dekretit të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme në këtë bashki, raporton Euronews.

Në vendimin e zbardhur këtë të enjte, Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës për pjesën që lidhet me Bashkinë Tiranë, konkretisht për caktimin e datës së zgjedhjeve në këtë njësi të qeverisjes vendore.

Vendimi është marrë në zbatim të nenit 115, pika 2 dhe 3 të Kushtetutës, si dhe në bazë të nenit 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe nenit 27 të Rregullores së Procedurave Gjyqësore të kësaj gjykate.

Pezullimi do të qëndrojë në fuqi deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese mbi kushtetutshmërinë e akteve të kundërshtuara.