Kancelari i Gjermanisë vizitë të papritur në Kiev, paketë 1.35 miliardë euro ndihmë për Ukrainën
Kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz mbërriti në Kiev të dielën, i shoqëruar nga drejtues të kompanive gjermane të mbrojtjes, në një shfaqje mbështetjeje për Presidentin Volodymyr Zelenskiy mes përshkallëzimit të sulmeve ruse në qytetet ukrainase, transmeton Euro News Albania.
Merz do të njoftojë një paketë masash që përfshin dhënien e 1 miliard eurove ndihmë ushtarake dhe 350 milionë euro për riparime në sektorin e energjisë, thanë zyrtarët e qeverisë gjermane. Vizita pritet gjithashtu të finalizojë një marrëveshje për prodhimin e përbashkët të llojeve të ndryshme të dronëve.
“Udhëtova sot për në Kiev sepse Ukraina ka nevojë për gjithë mbështetjen tonë në javët në vijim”, tha Merz, duke thënë se forcat ruse po bombardonin qytete, ndërtesa banimi dhe termocentrale. “Nëse Rusia nuk ndalet, herët a vonë makina e saj e luftës do të kthehet kundër nesh.”
“Do t’i them presidentit Zelenskiy sot: ‘Mund të vazhdoni të mbështeteni në ndihmën tonë’”, shtoi Merz.
Kancelarja gjermane shoqërohet nga Ministrja për Çështjet Ekonomike Katherina Reiche dhe një delegacion ekonomik që përfshin drejtues nga Siemens Energy, Hensoldt, Diehl Defence, Quantum Systems dhe firma të tjera.
Merz pritet gjithashtu të bëjë presion mbi qeverinë ukrainase për përparim në reformat e kërkuara nga partnerët e BE-së, përfshirë luftën kundër korrupsionit.