Shkodra Elektronike me “Zjerm” performon sonte në gjysmëfinalen e Eurovizion 2025
Sonte në Basel të Zvicrës, duke filluar nga ora 21:00 hapet edicioni i 69-të me radhë i Festivalit Europian të Këngës 2025, ku Shqipëria me këngën “Zjerm” nën interpretimin e dyshes “Shkodra Elektronike” synon të arrijë një rezultat tejet të mirë në krahasim me vitet e kaluara. Në skenën të këtij festivali dyshja Shkodra Elektronike do të interpretojnë të dymbëdhjetët me radhë, shkruan Portalb.mk.
Nga Shkodra Elektronike në një intervistë para disa ditëve për Portalb.mk thanë se është një shenjë shumë pozitive fakti që si publiku shqiptar ashtu dhe ai europian e pëlqejnë një projekt muzikor autentik.
“Edhe kjo është një surprizë që na bën të ndihemi shumë krenarë për dy arsye. E para sepse përfaqësojmë Shqipërinë dhe thjeshtë të dëgjosh emrin e vendit tënd ndër të preferuarit domosdoshmërisht ndihesh krenarë. E dyta sepse është një shenjë shumë pozitive fakti që si publiku shqiptar ashtu dhe ai europian e pëlqejnë një projekt muzikor autentik, të thjeshtë e jo të ndërtuar në tavolinë”, tha Shkodra Elektronike.
Shkodra Elektronike gjithashtu deklaroi do të bëjnë çfarë është e mundur të sjellin Eurovizionin në Shqipëri.
“Nuk pretendojmë të jemi si Prometeu e t’ju sjellim “Zjerm”-in, por, me ndihmën e votave tuaja, do të bëjmë çfarë është e mundur t’ju sjellim Eurovizionin”, tha Shkodra Elektronike.
Sipas kompanive të basteve, Shqipëria renditet e 11-ta nga gjithsej 37 shtete pjesëmarrëse në Eurovision, teksa favorizohet goxha shumë që të hyjë në Top 10 në natën finale.
Këtë vit Shqipëria është favorizuar edhe më shumë nga fansat e Eurovision, të cilët e kanë vendosur atë të krye të renditjeve nëpër polle të ndryshme.
Votimet nga shtetet mospjesëmarrëse (përfshihet edhe Kosova) tashmë janë hapur dhe Shqipëria mund të votohet edhe nga Kosova dhe nga e gjithë bota.
Gjysmëfinalja e dytë do të mbahet më 15 maj si dhe finalja e madhe në 17 maj.
Të tre netët e festivalit do të transmetohen në transmetuesit publik, edhe në Maqedoninë e Veriut.