“Shigjetat helmuese” në Shkup: Gjuha e urrejtjes është armë e padukshme, por e fuqishme që lëndon 

Në qendër të Shkupit Qendra për Arte Bashkëkohore ka vendosur instalimin e një njeriu me gojë të hapur, nga e cila dalin shigjeta “helmuese”, përfaqësim simbolik i fjalëve që krijuesit e gjuhës së urrejtjes përdorin për të fyer, lënduar ose nënçmuar, transmeton Portalb.mk

Ideja e këtij aksioni, i cili ka një mesazh të fortë vizual dhe është krijuar në një gjuhë të thjeshtë dhe të lehtë për t’u lexuar për audiencën, është të na kujtojë se fjalët mund të jenë gjithashtu të rrezikshme.

I frymëzuar nga simbolika e shigjetave helmuese, instalimi përshkruan gjuhën e urrejtjes si një armë të padukshme, por të fuqishme që lëndon. 

Vepra është vendosur në një hapësirë publike në qendër të Shkupit në Portën Bunjakovec, në udhëkryqin e Rrugës “Leninova” dhe Bulevardit “Aradhet Partizane”. 

“Në qendër të instalimit është një fytyrë njeriu me gojë të hapur, nga e cila dalin shigjeta “helmuese” — përfaqësim simbolik i fjalëve që krijuesit e gjuhës së urrejtjes përdorin për të fyer, lënduar ose nënçmuar. Me dimensione 1.4 x 1.2 metra dhe të bërë nga materiale metalike të ricikluara (llamarina, profile, shufra metalike), ky kompozim skulpturor tërheq vëmendjen me formën e tij mbresëlënëse dhe simbolikën e fortë”, thonë organizatorët. 

“Shigjetat helmuese” në Shkup: Gjuha e urrejtjes është armë e padukshme, por e fuqishme që lëndon . Foto: Albina Ramadani/Portalb.mk
“Shigjetat helmuese” në Shkup: Gjuha e urrejtjes është armë e padukshme, por e fuqishme që lëndon . Foto: Albina Ramadani/Portalb.mk

Ata shtojnë se në rrëzë qëndron një mesazh i qartë: “Gjuha e urrejtjes lëndon”, që thonë “si  thirrje për të gjithë ne që të mendojmë për pasojat e fjalëve tona, veçanërisht në një kohë kur komunikimi po zhvillohet gjithnjë e më shumë në hapësirën digjitale dhe gjuha e urrejtjes po bëhet një problem shoqëror gjithnjë e më serioz”. 

Kjo ndërhyrje artistike synon të rrisë ndërgjegjësimin publik për efektet e dëmshme të gjuhës së urrejtjes dhe të inkurajojë përgjegjësinë sociale, empatinë dhe respektin për të tjerët. 

“Shigjetat helmuese” në Shkup: Gjuha e urrejtjes është armë e padukshme, por e fuqishme që lëndon . Foto: Albina Ramadani/Portalb.mk
“Shigjetat helmuese” në Shkup: Gjuha e urrejtjes është armë e padukshme, por e fuqishme që lëndon . Foto: Albina Ramadani/Portalb.mk

Ky aksion u përgatit nga Qendra për Arte Bashkëkohore – Shkup në kuadër të projektit Rrjeti për Diversitet 2.0 – Agjendë e re që zbaton Shoqata për avancimin e praktikave gazetareske “Media Inovative – Shkup” me mbështetje të Bashkimit Evropian, Ministrisë së Jashtme të Norvegjisë dhe konzorciumit SMART Balkans.