Shifra shqetësuese

Njerëzit largohen nga vendi në kërkim të një jete më të mirë, më të sigurt, më të qetë. Largohen në kërkim të një jete pa ankthe ekzistenciale, sigurie dhe perspektive.

Sipas Entit për Statistika, çdo vit largohen nga vendi rreth 12 mijë persona. Parashikohet që në 50 vitet e ardhshme popullsia e RMV të tkurret deri në 1.3 milion banorë.

Sipas Raportit Botëror të Emigracionit dhe OECD-së, vetëm në vitet 2018 – 2019 janë larguar nga Maqedonia e Veriut rreth 26.700 persona. Rreth 700 mijë banorë të RMV gjenden jashtë shtetit, pra më shumë se një e treta e popullsisë së përgjithshme e vendit. Maqedonia renditet ndër 20 vendet me emigrim më të lartë. (Migrimet në RMV, IOM, Shkup, 2021, f.16.)

Sipas këtyre raporteve, shkaqet e eksodit janë: kriza ekonomike, korrupsioni i lartë në shoqëri, paqëndrueshmëria politike, dëshira për standard më të mirë jetese, problemet në sferën e drejtësisë, shëndetësisë, arsimit dhe shqetësimi për të ardhmen e fëmijëve…

Me sa shihet, migrimi (ose më saktë shpopullimi) nuk ndodh vetëm për shkaqe ekonomike, por, siç thuhet, sepse vendi shkon në drejtim të gabuar.

Shpopullimi nuk ndalet me fjalë të bukura dhe as me patrulla patriotike e patetike, por kur banorëve u sigurohet standard më i mirë jetësor dhe jetë më e qetë. Standardi jetësor përmirësohet nëse kemi strategji afatgjate ekonomike dhe shtet të së drejtës.

Në shtetet e Ballkanit Perëndimor ekonomia është në plan të dytë. Aty ku nuk ka ekonomi të zhvilluar, triumfon retorika nacionaliste. Thuhet se kur frigoriferi është bosh, atëherë flasin mediet që nuk informojnë, por dezinformojnë dhe indoktrinojnë.

Sot është patriotizëm nëse punon për zhvillimin e ekonomisë. Një vend mund të pretendojë për zhvillim ekonomik nëse aty kemi sundim të ligjit, që është parim kryesor i BE-së. Që të ketë sundim ligji duhet gjyqësor i pavarur, i cili e lufton korrupsionin pa asnjë kompromis.

Ekspertët mendojnë se shpopullimi në vendet e Ballkanit Perëndimor mund të pengohet edhe nëpërmjet një bashkëpunimi ekonomik rajonal. Pra, me krijimin e një tregu më të madh dhe më konkurrues me tregjet tjera. Para se të fillojë bashkëpunimi ekonomik rajonal, duhet të shuhen tensionet ndëretnike. Elitat politike në rajon vazhdojnë ta sforcojnë diskursin nacionalist, sepse mendojnë vetëm për përfitime të ulëta politike, pa u merakosur për humbjen e popullatës së re.

Vendet e rajonit shpopullohen dhe plaken me shpejtësi marramendëse. Ndjehet mungesa e fuqisë punëtore, veçanërisht asaj të kualifikuar. Shoqëritë përjetojnë krizë ekonomike dhe morale. Dhe sërish flitet me optimizëm për të ardhmen…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.