SHGM: Prokuroria dhe Këshilli Gjyqësor urgjentisht të përcaktojnë përgjegjësinë për moszbatimin e vendimit për mbrojtjen e gazetares në dhunën e 27 Prillit

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Gjykata Themelore Civile Shkup nuk e ka zbatuar vendimin me të cilin gazetares Natasha Stojanovska i ishte konstatuar shkelje e lirisë së shprehjes publike lidhur me ngjarjet në Kuvend më 27 prill 2017. Reagoi Shoqata e Gazetarëve, transmeton Portalb.mk.

Stojanovska më herët, përmes përfaqësuesit juridik të SHGM-së (Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë), kishte kërkuar mbrojtje gjyqësore, pasi shteti nuk kishte siguruar mbrojtje të përshtatshme derisa ajo raportonte nga Kuvendi. Megjithatë, Gjykata Themelore Civile dhe Gjykata e Apelit nuk kishin konstatuar shkelje të lirisë së saj të shprehjes, pas së cilës rasti përfundoi në Gjykatën Kushtetuese.

“Kjo paraqet një praktikë të rëndësishme për mbrojtjen efektive të lirisë së shprehjes dhe informimit publik, të garantuara me nenin 16 të Kushtetutës. Përgjegjësia tani është te Prokuroria Themelore Publike dhe Këshilli Gjyqësor. Presim që të dy institucionet, pa vonesë, të veprojnë mbi njoftimin e Gjykatës Kushtetuese, të përcaktojnë përgjegjësinë dhe, nëse plotësohen kushtet ligjore, të shqiptohen sanksionet përkatëse ndaj gjyqtarit që nuk e ka zbatuar vendimin përfundimtar dhe detyrues të Gjykatës Kushtetuese”, tha Shoqata e Gazetarëve.

Nga aty theksojnë se pavarësia e gjyqësorit nënkupton edhe përgjegjësi dhe respektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Kur bëhet fjalë për një vendim me të cilin është konstatuar shkelje e një të drejte të garantuar me Kushtetutë të një gazetari, moszbatimi i tij nuk duhet të mbetet pa reagim institucional përkatës”, tha shoqata.

SHGM-ja informoi se do ta ndjekë me vëmendje veprimin e PTHP-së dhe Këshillit Gjyqësor, si dhe rezultatin e procedurave që do të pasojnë, për të cilat do ta informojë publikun.

Rasti i Natasha Stojanovskës është një nga rastet e lidhura me ngjarjet në Kuvend më 27 prill 2017, kur gazetarët dhe punonjësit e mediave u ekspozuan ndaj dhunës, kërcënimeve dhe pengimit në kryerjen e detyrës së tyre profesionale, ndërsa qytetarëve iu pengua e drejta për informim publik.

Vitin e ardhshëm do të bëhen dhjetë vjet nga ngjarjet e 27 prillit 2017, ndërsa disa prej gazetarëve, të drejtat e të cilëve u shkelën atë ditë, ende nuk kanë zgjidhje përfundimtare dhe efektive ligjore për rastet e tyre.

“SHGM-ja nuk do të heqë dorë nga këto raste. Shoqata vazhdon të ofrojë ndihmë juridike falas dhe përfaqësim avokator për gazetarët, të drejtat e të cilëve janë shkelur, me qëllim që drejtësia fillimisht të kërkohet përmes institucioneve dhe gjykatave vendore. Nëse sistemi juridik vendor nuk siguron mbrojtje të përshtatshme dhe efektive, SHGM-ja do të vazhdojë t’i përdorë mekanizmat juridikë në dispozicion edhe para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, tha SHGM.

Gjykatësi i Gjykatës Themelore Civile Shkup, i cili ka vepruar në lëndën e gazetares Natasha Stojanovska, nuk e ka zbatuar Vendimin e Gjykatës Kushtetuese BZSP.nr.8/2025, njoftoi Gjykata Kushtetuese, e cila e ka informuar edhe Prokurorinë Publike dhe Këshillin Gjyqësor.