Meta u dënua me 567 milionë dollarë në gjykimin më të madh për sigurinë e fëmijëve në rrjetet sociale
Një gjykatës amerikan në Nju Meksiko e urdhëroi Metën të paguajë edhe 567 milionë dollarë për dështimin për ta paralajmëruar publikun për rreziqet që platformat e saj paraqesin për fëmijët, në vendimin më të madh kundër kompanisë lidhur me sigurinë e fëmijëve, transmeton Portalb.mk.
Gjykatësi Brian Bidscheid tha se gjiganti i rrjeteve sociale përbën “shqetësim publik“, të ngjashëm me ndotjen e ajrit, dhe se paratë duhet të investohen në një fond të dedikuar për reduktimin e dëmeve në të ardhmen.
Vendimi i marrë dje i shtohet gjobave prej 375 milionë dollarësh që Meta ishte urdhëruar tashmë t’i paguante në këtë rast, duke e çuar shumën totale në 942 milionë dollarë.
Gjykatësi Bidscheid e krahasoi Metën me fabrikë, produkti i së cilës janë reklamat dhe përmbajtja, ndërsa dëmtimi psikologjik dhe shfrytëzimi seksual i fëmijëve përbëjnë ndotjen që duhet të reduktohet.
Zëdhënësi i Metës, e cila zotëron dhe operon Instagramin, Facebookun, WhatsAppin dhe Threads, deklaroi se nuk pajtohen me vendimin dhe do ta apelojnë.
“Po punojmë shumë për t’i mbrojtur njerëzit në platformat tona dhe jemi transparentë lidhur me sfidat për identifikimin dhe largimin e aktorëve të këqij dhe përmbajtjes së dëmshme. Mbetemi të bindur në rezultatet tona për mbrojtjen e adoleshentëve në internet dhe do të vazhdojmë të mbrohemi ndaj pretendimeve që i paraqesin gabimisht faktet”, thanë nga Meta.
Lidhur me vendimin e mëparshëm prej 375 milionë dollarësh në këtë rast, Meta deklaroi se synon të apelojë dhe dha shpjegim të ngjashëm. Ky ishte rasti i parë në të cilin një shtet arriti me sukses ta padisë Metën për çështje që lidhen me sigurinë e fëmijëve.
Meta aktualisht përballet me mijëra padi në SHBA për çështje të ngjashme. Përveç vendimeve në Nju Meksiko, Meta në fillim të këtij viti humbi edhe një rast në Los Anxhelos me pretendime të ngjashme.
Javën e ardhshme, në Kaliforni, nis tjetër proces i madh gjyqësor kundër Metës. Gati 30 prokurorë të përgjithshëm të shteteve amerikane e kanë paditur kompaninë për shkelje të ligjeve për privatësinë e fëmijëve.