“Detyra e mësimdhënësit modern nuk është t’i presë xhunglat, por t’i ujitë shkretëtirat.”
-C.S. Lewis
Para një muaji e gjysëm, “Logos-A” nxorri në tregun shqiptar një libër të ri, “Shfuqizimi i njeriut”, një vepër monumentale e autorit britanik Clive Staples Lewis, një nga penat botërore më të rëndësishme të qindvjeçarit të kaluar. Kemi të bëjmë me një trajtesë që është produkt i tri ligjëratave që ky mendimtar dhe profesor i dalluar i ka mbajtur në shkurt të vitit 1943 në Universitetin e Durhamit lidhur me relacionin feja-mendimi bashkëkohor. Këtë libër që shkoqit dyshen arsimi-morali dhe që e ruan freskinë e vet edhe në ditët tona, edhe tetë dekada pas botimit, H. U. von Balthasar e ka cilësuar si “gjenial”, John Gray si “profetik”, kurse “National Review” e ka pozicionuar në vendin e shtatë në shkallaren e 100 veprave publicistike më të rëndësishme të shekullit XX.
Në fakt, kemi të bëjmë me “librin më filozofik të autorit”, me një tekst të antropologjisë etike që e mbron absolutizmin etik dhe universalitetin e vlerave përkundër relativizmit moral apo subjektivizmit radikal. Ndër konceptet kryesore më të cilat merret Lewis është “ligji i natyrës”, i mirëbëries së përgjithshme, diçka që e dimë nga fakti që jemi njerëz (Crowley, 2018), që ndërlidhet me etikën, moralin njerëzor, me dijen mbi të mirën dhe të keqen, me Virtytin ose Udhën.
Lewis, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore ka bërë nam me bisedat në BBC në platformën “E drejta dhe e gabuara, gjurmët mbi kuptimin e universit” (cslewisinstitute.org), që ka frymëzuar J. R. R. Tolkien-in, L. Strauss-in, F. Fykuyama-n, W. Berry-n etj., ngulmon në identitetin njerëzor të ndërtuar mbi vlerat objektive në bazë të arsyes dhe logjikës, në detyrimet morale që janë të dukshme dhe të qarta, që shtrihen nëpër çdo cep të botës dhe gjatë gjithë shekujve. Ai thekson vazhdimësinë e mendimit dhe vlerave humane dhe kundërshton fuqishëm përhapësit (purveyors) dhe militantët e relativizmit moral, duke theksuar se “vlerën e moralit të gjitha traditat filozofike dhe fetare e pranojnë si të vetëkuptueshme”, si aksiomë kulturore.
Lewis afirmon parashtresat morale themelore të njeriut që i quan universale, humbja e të cilave shpie në një ardhmëri post-humane, shqetësuese dhe katastrofale. Karaktere kryesorë të “Shfuqizimit të njeriut” janë Gaius dhe Titius – pseudonime të Alec King dhe Martin Ketley, autorë të “Kontrolli i gjuhës: Një qasje kritike ndaj leximit dhe shkrimit” (1939) – përfaqësues të qasjes moderne edukative-arsimore (lexo: të modernitetit) që dobëson zhvillimin moral të nxënësve, që shkulturizon duke promovuar preferencat personale dhe shoqërore përkundër atyre objektive, që e rrënon kështu sistemin aksiologjik të bazuar në ligjin natyror ose moral.
Lewis thesarin e shqyrtimeve morale e quan Tao, emërtim ky të cilin e huazon nga filozofia konfuciane. Sipas tij ekologjia morale (Tao) është e gjithëpranueshme; nëse mundohemi të jetojmë jashtë saj, i përngjajmë astronautit që në hapësirë e heq helmetën dhe mundohet të marrë frymë. Te “Shtojca” e kësaj vepre përmenden shembuj të Tao-s, si ligji i bamirësisë së përgjithshme dhe të veçantë, detyrat ndaj prindërve, të moshuarve dhe paraardhësve, detyrat ndaj fëmijëve dhe brezave të ardhshëm, ligji i drejtësisë, ligji i besueshmërisë dhe sinqeritetit, ligji i mëshirës dhe ligji i bujarisë.
Vazhdon…
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.