SHBA-ja po e nënvlerëson boshtin Iran-Rusi-Kinë-Kore e Veriut, paralajmëroi admirali i pensionuar amerikan

Partneriteti strategjik në rritje mes Kinës, Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut është bërë një nga sfidat kryesore të sigurisë me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre. Në librin e tyre “Boshti i agresorëve”, i botuar së voni, admirali në pension Mark Montgomery, dhe bashkautorët Bradley Bowman dhe Elaine Dezenski, dokumentojnë më shumë se 600 raste bashkëpunimi mes këtyre katër shteteve autoritare, duke argumentuar se koordinimi i tyre shtrihet në fushat ushtarake, teknologjike, ekonomike dhe kibernetike.

Montgomery, drejtor i lartë i Qendrës për Inovacion në Fushën Kibernetike dhe Teknologjike dhe bashkëpunëtor i lartë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, thotë se Perëndimi vazhdon ta nënvlerësojë si shkallën e këtij bashkërendimi, ashtu edhe rrezikun që ai paraqet. Radio Evropa e Lirë (REL) bisedoi me të për Ukrainën, Iranin, konfliktet e njëkohshme dhe atë që ushtria amerikane duhet të bëjë për t’u përgatitur për to.

Në pyetjen se a po i nënvlerëson Uashingtoni Kinën, Rusinë, Iranin dhe Korenë e Veriut si një bosht të integruar autoritar dhe atë se sa ngushtë bashkërendojnë ato, Montgomery thotë se “në masë të madhe po e nënvlerësojmë nivelin e koordinimit të tyre dhe, për rrjedhojë, përgjigjet tona ndaj veprimeve të tyre të përbashkëta shpesh janë të pamjaftueshme. Në SHBA, këtë mund ta shihni te Ukraina.”

“Ukraina po lufton qartë kundër Rusisë, Iranit, Koresë së Veriut dhe Kinës. Irani po furnizon me dronë Shahed – jo vetëm mijëra dronë, por edhe teknologjinë për t’i prodhuar ata brenda Rusisë. Rusët tani po prodhojnë vetë dronë të projektuar nga Teherani. Koreja e Veriut ka dërguar 12.000 ushtarë dhe njerëzit përqendrohen te kjo. Por, ajo ka furnizuar gjithashtu 5 deri në 6 milionë predha artilerie dhe mortajash. Kjo është më shumë sesa ka prodhuar e gjithë NATO-ja gjatë dekadave të fundit”, tha ai.

Më tej shtoi se së fundi, Kina po mbështet përpjekjet luftarake të Rusisë duke furnizuar mikroelektronikë për raketat balistike, hipersonike dhe ato lundruese që po godasin Kievin sot.

“Ukraina duhet të luftojë kundër të katër vendeve. SHBA-ja, edhe gjatë administratës Biden, ishte shumë e ngadaltë në ofrimin e sistemeve të duhura të armëve me rrezen e nevojshme të veprimit dhe nuk dislokoi kurrë forca amerikane në Ukrainë për qëllime stërvitjeje. Presidenti Donald Trump ka bërë edhe më pak, duke ulur ndihmën për sigurinë për 99 për qind krahasuar me administratën Biden”, tha Montgomery.

Ai thekson se i njëjti problem shihet edhe në Evropë, kur SHBA-ja përballet me Iranin.

“Irani është një regjim autoritar 47-vjeçar, që ka mbështetur terrorizmin pothuajse gjatë gjithë kësaj periudhe. Ai ka vrarë më shumë se 1.000 ushtarë amerikanë në Irak dhe Afganistan, rreth 500 trupa të NATO-s dhe qindra evropianë në sulme terroriste. Ai mbështet grupe aleate, përfshirë Huthit, Hezbollahun dhe grupet e armatosura në Irak e Siri. Gjithashtu, ka vrarë më shumë se 30.000 qytetarë të vet brenda një fundjave të vetme.

Evropa ende e shikon këtë konflikt, dhe thotë se këto janë dy palë ndërluftuese të barabarta: Irani dhe SHBA-ja. Kjo është absurde. Irani mbështetet nga Rusia. Mbështetet nga Kina. Në të kaluarën është mbështetur edhe nga Koreja e Veriut. Megjithatë, ende nuk arrijmë ta bindim Evropën të na mbështesë kundër Iranit”, theksoi ai.