Sonte hap siparin festivali i filmit “TIFF ODA”: Kinemaja botërore vjen në Tetovë
Sonte në hapësirat e I.N Qendra e Kulturës “ILO ANTESKI- SMOK- Tetovë, me fillim nga ora 19:30, fillon edicioni i 14-të me radhë i Festivalit Ndërkombëtar i Filmit në Tetovë “Tiff ODA” 2025”. Ky festival do të fillon prej sonte më 15 Shtator dhe do të zgjasë deri më 21 Shtator 2025. Këtë vit në do të shfaqen 44 filma ndërsa 34 prej tyre do të garojnë për çmimet kryesore në pesë kategori; Cine Balkan Panorama, Anorama, Short Fiction, Short Documentary, Short Animation dhe Student Film, shkruan Portalb.mk.
Siparin e këtij edicioni do ta hapë filmi “Burri i shtëpisë” me regji, skenar dhe producent Andamion Murataj që pasqyron konfliktet e thella njerëzore dhe shoqërore shqiptare, do të hapë edicionin e 14-të të tiffodës si premierë në Maqedoninë e Veriut.
Ndërsa, filmi “Koma”, me regji të Agim Abdulla nga Maqedonia e Veriut, do ta mbyllë festivalin.
Në kategoritë CINE EUROPEAN PANORAMA dhe CINE BALKAN PANORAMA, adhuruesit e filmit do të kenë mundësi të shijojnë një përzgjedhje të pasur të filmave që kanë triumfuar në festivale ndërkombëtare të njohura, si:
No Other Land-Norvegji, Palestinë-Basel Adra, Hamdan Ballal, Yuval Abraham & Rachel Szor-96 minuta
It Was Just an Accident-Iran, Francë, Luksemburg-Jafar Panahi-105 minuta
Flow-Letoni, Belgjikë, Francë-Gints Zilbalodis-85 minuta
Në kategorinë CINE BALKAN PANORAMA marrin pjesë filmat:
Everybody Calls Redjo-Maqedonia e Veriut-Ibër Deari-125 minuta
The Stork-Mali i Zi, Kosovë, Maqedonia e Veriut, Shqipëri-Isa Qosja-97 minuta
Kill The Children First-Maqedonia e Veriut-Dimitar Orovcanec-106 minuta
Waterdrop-Shqipëri, Rumani, Itali, Kosovë, Maqedonia e Veriut-87 minuta
Gülizar-Turqi, Kosovë-Belkis Bayrak-84 minuta
Agim Abdula koordinator i festivalit për Portalb.mk tha se për këtë edicion janë përzgjedhur filmat më të rinjë dhe më të vlerësuar.
“Në asnjë edicion, ashtu edhe këtë vit, nuk përcaktojmë ndonjë temë të caktuar apo vizion të caktuar, sepse garë kryesore kemi filmat Ballkanik, dhe e dimë d.m.th. që filmat që realizohen te ne në rajonin e Ballkanit, janë tema të ndryshme dhe është e vështirë që të përcaktosh në festival ndonjë temë të caktuar, sepse mund të ngelesh edhe pa filma apo me një film. Kështu që qëllimisht nuk përcaktojmë tema dhe i përfshimë filmat më të rinj dhe më të vlerësuar që vijnë nga vendi dhe më gjerë. Bëhet fjalë për filma që kanë pasur një rrugëtim të suksesshëm nëpër festivale të ndryshme ndërkombëtare, disa prej tyre edhe të vlerësuar me çmime prestigjioze. Ne jemi të lumtur që këto produksione kanë aplikuar edhe në festivalin tonë, për t’i dhënë mundësi publikut tetovar dhe të gjithë adhuruesve të kinemasë nga vende të ndryshme të shijojnë këto krijime kinematografike”, tha Abdula.
Ai edhe më tej shtoi se “TIFF ODA” është një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe me rol të veçantë në pasurimin e jetës kulturore të qytetit.
“Bukuria e këtij festivali qëndron në faktin se ai është një nga ngjarjet kulturore më të rëndësishme në Tetovë. Edhe pse në qytet ekziston edhe një festival tjetër më i vogël i dedikuar filmit të shkurtër, ky është i vetmi festival i këtij rangu që ofron, përveç kategorive të tjera, edhe konkurrimin e filmit të gjatë dhe prezantimin e filmave më të rinj evropianë. Pikërisht për këtë arsye, besojmë se programi ynë na radhit krahas festivaleve më të mëdha jo vetëm në vend, por edhe në rajon.
Pa dyshim, roli i festivalit në pasurimin e jetës kulturore të qytetit është i pamohueshëm. Për një javë të tërë, Tetova shndërrohet në një festë të vërtetë filmi, duke krijuar një atmosferë të veçantë. Tetovarët, si gjithmonë, tregohen publik i mrekullueshëm, si për film ashtu edhe për teatër, dhe kjo e bën festivalin të arrijë plotësisht misionin e tij për të gjallëruar jetën kulturore të qytetit”, tha Abdula.
Abdula tha se “TIFF ODA” ka rol të rëndësishëm në promovimin e kinematografisë vendore.
“Pa dyshim që këtë rol “TIFF ODA” e luan në mënyrën më të mirë, veçanërisht këtë vit. Ajo që bie në sy është pjesëmarrja e gjerë e autorëve vendas dhe, në përgjithësi, shqiptarë: nga të gjithë filmat në garë, vetëm dy nuk janë shqiptarë. Kjo dëshmon qartë se festivali ka një rol të rëndësishëm në promovimin e krijuesve shqiptarë, si nga Maqedonia e Veriut, ashtu edhe nga mbarë rajoni”, tha Abdula.
Ai shtoi se gjatë festivalit do të ketë edhe aktivitete të tjera përcjellëse.
“Programi do të pasurohet edhe me aktivitete përcjellëse si punëtori, bashkëbisedime me ekipet pjesëmarrëse, si dhe me kategorinë e filmave për fëmijë-një nga më të vizituarat çdo vit nga më të vegjlit e qytetit së bashku me prindërit e tyre”, tha Abdula.
Abdula gjithashtu potencoi se secili film pjesëmarrës, në mënyrën e vet, sjell një histori unike dhe e bën programin më të pasur.
“Edhe filmat evropianë, si çdo vit, do të kenë vëmendjen e tyre të veçantë. Ndër ta spikat filmi “It Was Just an Accident” i regjisorit të njohur iranian Jafar Panahi, fitues i edicionit të fundit të Festivalit prestigjioz të Kanës, që pritet të jetë një nga atraksionet kryesore të këtij edicioni. Po ashtu, dokumentari “No Other Land”, realizuar nga një autor izraelit dhe një palestinez, që trajton realitetin në Palestinë dhe ka triumfuar në Festivalin e Venecias, është një tjetër vepër që meriton vëmendje. Secili film pjesëmarrës, në mënyrën e vet, sjell një histori unike dhe e bën programin e këtij viti edhe më të pasur e më të larmishëm”, tha Abdula.
Filmat pjesëmarrës në “TIFF ODA 2025”:

Ky festival përkrahet nga Agjencia e Filmit e RMV-së, Komuna e Tetovës, Europe House, dhe nga Qendra e Kulturës “ILO ANTESKI- SMOK- Tetovë.