SHBA-ja kreu sulme të reja të kufizuara ndaj Iranit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se Ushtria amerikane ka kryer të premten sulme të reja dhe të kufizuara ndaj Iranit, duke shënjestruar një sistem iranian të mbrojtjes ajrore, raporton agjencia “AP”, transmeton Koha.net. 

Mediat shtetërore iraniane raportuan se janë dëgjuar dy shpërthime në zonën Suza të ishullit Qeshm, i cili ndodhet në një rrugë ujore jetike për transportin e naftës.

Në një bisedë me gazetarët, Trump e përshkroi aksionin ushtarak si “të vogël”.

“Ata ndërtuan një pajisje të vogël kundërajrore dhe ne e shkatërruam për rreth 15 minuta, ndoshta për pesë minuta”, u tha Trump gazetarëve të premten në mbrëmje, pak pasi kishte mbërritur në West Palm Beach të Floridas.

Trumpi nuk dha detaje të tjera për objektivin e sulmit. Megjithatë, zyrtarët amerikanë kanë raportuar se shumica e sistemeve të mbrojtjes ajrore të Iranit u shkatërruan ose u dëmtuan rëndë gjatë bombardimeve izraelite në qershor të vitit 2025 dhe në fazat e para të konfliktit aktual. Zyrtarët amerikanë kanë vlerësuar se Irani do të përpiqet t’i rindërtojë këto sisteme dhe infrastrukturën tjetër ushtarake me kalimin e kohës. Ushtria amerikane njoftoi gjithashtu se të hënën kishte kryer atë që i cilësoi si sulme mbrojtëse. Shpërthime u dëgjuan në ishujt Qeshm dhe Hengam, në Ngushticën strategjike të Hormuzit, si dhe në zonën pranë Bandar Abbasit.

Sulmet e së premtes janë të parat që nga humbja e thellë e Partisë Republikane të Trumpit në zgjedhjet e mesmandatit të së martës në SHBA. Goditja elektorale – republikanët humbën të dyja dhomat e Kongresit – u ndikua pjesërisht nga pakënaqësia e votuesve me mënyrën se si Trumpi po e menaxhon konfliktin dhe me rritjen e çmimeve të karburanteve. Këto çmime janë një pasojë e luftës, e cila ka prekur pothuajse çdo sektor të ekonomisë globale.

Në ditët pas humbjes së republikanëve në zgjedhje, Trumpi ka luhatur qëndrimet e tij, duke kaluar nga kërcënimet për ta “shkatërruar” Iranin te sugjerimet se një zgjidhje për luftën është afër. Më herët të premten, dy zyrtarë të qeverive të Lindjes së Mesme, thanë se Irani po shqyrton propozimet e paraqitura nga Katari, i cili po luan rolin e ndërmjetësuesit kryesor, me synimin për të zgjidhur mospajtimet mes Teheranit dhe Shteteve të Bashkuara lidhur me programin bërthamor iranian.

Megjithatë, njëri nga zyrtarët theksoi se iranianët, të paktën për momentin, nuk janë të gatshëm të hyjnë në negociata me administratën Trump për aktivitetet e tyre bërthamore, derisa SHBA-ja të pajtohet me disa kushte themelore që Irani kërkon të përfshihen në çdo marrëveshje për armëpushim.