Serbët u kërcënuan me largim nga puna nëse nuk shkojnë në Beograd për Tubimin e Vuçiqit

Mijëra përkrahës të presidentit serb, Alexandar Vuçiq kanë shkuar në Beograd për të marrë pjesë në tubimin e thirrur nga ai, raporton Koha.net. Mirëpo shumë prej tyre në kushte anonimiteti kanë thënë se janë kërcënuar me largim nga puna nëse nuk shkojnë në tubimin e presidentit autoritar

Mijëra njerëz janë në pritje të nisjes së tubimit të thirrur nga presidenti autoritar i Serbisë, Alexandar Vuçiq në Beograd.

Duke iu përgjigjur thirrjes së Vuçiqit për të marrë pjesë në një prej tubimeve më të mëdha në histori të Serbisë, përkrahësit e tij kanë shkuar edhe nga Kosova dhe Bosnja.

Atyre që punojnë në institucionet shtetërore u është thënë që të marrin të lirë ditën e premte me qëllim që të marrin pjesë në tubimin i cili do të mbahet para ndërtesës së parlamentit në Beograd.

Disa prej tyre janë kërcënuar me largim nga puna nëse nuk shkojnë me autobusë në Beograd.

Zyrtarët e qeverisë kanë thënë se tubimi do të promovojë “unitet dhe shpresë” për Serbinë.

Së paku tri protesta masive janë mbajtur në muajin maj në Beograd. Protestuesit kanë kërkuar largimin e Vuçiqit nga pushteti dhe dorëheqjen e dy ministrave të qeverisë së tij.

Protestuesit gjithashtu kanë kërkuar heqjen e licencave ndaj dy televizioneve pro-Vuçiqit që kanë promovuar dhunë dhe shpesh kanë ftuar kriminelë lufte dhe figura të tjera të krimit. Protestuesit kanë fajësuar Vuçiqin për ndasi të thella në Serbinë, e tronditur nga dy sulmet në masë në të cilat u vranë 18 persona dhe u plagosën 20 të tjerë. Shumica e të vrarëve ishin nxënës.

Ndryshe, “Jemi shumë”, thuhet në publikimin e shoqatës “Paqe, harmoni, stabilitet” nga Shkupi nën organizim të së cilës një numër i madh i serbëve dhe maqedonasve me prejardhje serbe nga Maqedonia e Veriut janë nisur për në Beograd, ku sonte duhet që të mbahet tubimi që e organizon presidenti serb Aleksandar Vuçiq, të cilin pushteti i tij e paralajmëron si më të madhin në histori.