Disa autobusë me qytetarë nga RMV janë nisur për në mitingun e Vuçiqit: Jemi shumë
“Jemi shumë”, thuhet në publikimin e shoqatës “Paqe, harmoni, stabilitet” nga Shkupi nën organizim të së cilës një numër i madh i serbëve dhe maqedonasve me prejardhje serbe nga Maqedonia e Veriut janë nisur për në Beograd, ku sonte duhet që të mbahet tubimi që e organizon presidenti serb Aleksandar Vuçiq, të cilin pushteti i tij e paralajmëron si më të madhin në histori.
Shoqata ka ndarë edhe fotografi të njerëzve të cilët me autobusë janë nisur për në tubim.
“Presidenti Aleksandar Vuçiq e ka mbështetjen e serbëve të Maqedonisë dhe maqedonasve me prejardhje serbe! Një numër i madh jemi drejtuar kah Beogradi që ta mbështesim politikën për paqe, harmoni dhe stabilitet!”, thuhet në publikimin e shoqatës.
Ashtu siç mund të shihet nga fotografitë e publikuara nga kjo shoqatë, njëri prej autobusëve mban logon e “Durmo Turs”, apo kompanisë me pronarë shqiptarë. Njëri prej autobusëve të kësaj kompanie në vitin 2019-të u aksidentua në Llaskarcë të Shkupit, dhe si pasojë humbën jetën 16 persona dhe mbi 30 të tjerë u lënduan.
Paraprakisht, shoqata në rrjetet sociale ka publikuar thirrje deri te të gjithë të interesuar për tubimin për mbështetje të njeriut, që siç thuhet në publikim., ia ka përkushtuar jetën Serbisë.
Televizioni serb N1 përpara disa ditësh publikoi një reportazh me rastin e transportit të shtetasve maqedonas në miting. Përveç Shkupit, autobusë për tubimin e Vuçiqit janë nisur edhe nga Kumanova dhe qytete tjera të Maqedonisë së veriut.
Në Kumanovë, si organizator paraqitet Mirosllav Triçkovski, i cili është këshilltar i Komunës së Kumanovës nga radhët e VMRO-DPMNE-së.
Me transport të organizuar janë nisur edhe nga zonat e veriut të Kosovës.
Tubimi i partisë së Vuçiqit sot do të mbahet me sloganin “Serbia e shpresës”.
Ndërkohë, politikanët opozitarë serbë kanë reaguar edhe ndaj retorikës së Aleksandër Vuçiqit para mbajtjes së kundërmitingut të sotëm. Kështu, kryetari i Lëvizjes së qytetarëve të lirë Pavle Grboviq vlerësoi se presidenti serb me thirrjen për miting më 26 maj në Beograd, ka thirrur “një grup qytetarësh t’i kundërvihet një grupi tjetër qytetarësh”.
Vuçiq këtyre ditëve u ka bërë thirrje publike qytetarëve që të vijnë më 26 maj në Beograd në miting “për mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe demokracisë së Serbisë”, duke e paralajmëruar mitingun si “grumbullimi më i madh në historinë e Serbisë”.
Thirrja e tij për kundërmiting vjen pasi opozita proevropiane ditëve të kaluara organizoi protesta masovike në qendër të Beogradit, nën parullën “Serbia kundër dhunës”.