Aleksandër Vuçiqi do të dërgojë edhe qytetarë të Maqedonisë në kundërprotestën në Beograd më 26 maj

Thirrja për qytetarët e Maqedonisë që të shkojnë në kundërprotestë në Beograd më 26 maj të organizuar nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq është një nga temat kryesore që trajtohet nga mediat serbe, përcjell Meta, transmeton Portalb.mk.

“Transport i organizuar me autobusë falas në mitingun panserb më 26 maj (e premte) në Beograd. Kush është i gatshëm të shkojë, le të paraqitet. Njoftoni të gjithë të tjerët. Nisja do të bëhet nga Kumanova. Rezervoni vendet tuaja në kohë”, është mesazhi që më 11 maj në Facebook e publikoi Komuniteti serb në Maqedoni.

Vetë thirrja në Facebook deri në momentin e publikimit të këtij teksti ka 58 shpërndarje dhe 99 reagime të ndryshme, si dhe 93 komente në të cilat ka diskutime të zjarrta midis qytetarëve nëse duhet të merret pjesë në këtë protestë.

“Ai është miting partiak, e jo panserb. Nëse jeni vëllezërit tanë, rrini në shtëpi”, është një nga komentet kritikues ndaj kësaj thirrje të Komunitetit serb në Maqedoni.

Thirrja për qytetarët e Maqedonisë që të shkojnë në kundërprotestë në Beograd më 26 maj të organizuar nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq është një nga temat kryesore që trajtohet nga mediat serbe.

Kësisoj, media serbe “Nova.rs” publikoi një tekst me titull “Vuçiq dërgon njerëz nga Maqedonia në kundërmitingun e tij: Ofrohet transport falas me autobusë nga Kumanova për në Beograd”.

Media parashtron pyetjen se çfarë kërkon kjo organizatë joqeveritare maqedonase, aktivitetet e së cilës midis tjerash financohen edhe nga buxheti i Republikës së Serbisë, të bëjë thirrje për anëtarët e saj që të marrin pjesë në kundërmitingun e Vuçiqit në Beograd.

Nga Nova.rs rikujtojnë se Komuniteti serb në Maqedoni kah fundi i janarit të këtij viti, presidentin serb Vuçiq e ka dekoruar me “Urdhrin e Shën Savës”.

Ndërkohë, politikanët opozitarë serbë reagojnë edhe ndaj retorikës së Aleksandër Vuçiqit para mbajtjes së kundërmitingut që do të mbahet më 26 maj. Kështu, kryetari i Lëvizjes së qytetarëve të lirë Pavle Grboviq vlerëson se presidenti serb me thirrjen për miting më 26 maj në Beograd, ka thirrur “një grup qytetarësh t’i kundërvihet një grupi tjetër qytetarësh”.

Vuçiq këtyre ditëve u ka bërë thirrje publike qytetarëve që të vijnë më 26 maj në Beograd në miting “për mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe demokracisë së Serbisë”, duke e paralajmëruar mitingun si “grumbullimi më i madh në historinë e Serbisë”, shkruan Danas.

Thirrja e tij për kundërmiting vjen pasi opozita proevropiane ditëve të kaluara organizoi protesta masovike në qendër të Beogradit, nën parullën “Serbia kundër dhunës”.