Fryma e privilegjimit të një provenience fetare apo e kundër-sekularitetit në RMV vërehet edhe te “Rrathët e Qytetërimit” në Sallën Plenare të Kuvendit (nga v. 1999), që përshkruan figurat e vëllezërve Kiril dhe Metodi, vargjet e para të Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit “Në fillim ishte fjala”, afresket në hyrjen kryesore të Kuvendit [“Kungimi i Apostujve”, “Tradhtia e Judës” dhe “Ngjitja në Kryq” të realizuara (për çudi!) në kohën e Maqedonisë socialiste, v. 1974 dhe 1982.] (Shasivari, 2026)
Kushtetuta e RMV-së garanton lirinë e besimit dhe shprehjen publike të fesë, duke siguruar ndarjen e institucioneve fetare nga punët e shtetit. Kjo dispozitë thekson përkushtimin për një qeverisje sekulare, duke ruajtur autonominë e bashkësive fetare pa ndërhyrjen e shtetit.
Sipas aktit më të lartë juridik “shteti është sekular, që do të thotë se feja është e ndarë nga shteti. Kjo ndarje nuk është simbolike apo deklarative, por thelbësore për mbrojtjen e qytetarëve nga dominimi fetar, për garantimin e barazisë dhe për ruajtjen e arsimit si një veprimtari me interes publik, të çliruar nga indoktrinimi fetar. Sekularizmi nuk është ideologji. Ai është themeli i lirisë. Nëse e minojmë (e dobësojmë) atë, ne minojmë sistemin e mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët tanë.” (Nikolova, 2025)
Ç’e do që ky parim po minohet qëllimshëm nga politikbërësit. Qytetarët ballafaqohen me kombin e synuar nga pushteti VMRO-DPMNE në kuptimin e Huckabee “me Zotin-në-qendër” (God-centred nation), jo realisht por vetëm në rrafshin e politizimit të religjionit ose të shfrytëzimit të tij për intenca politike. “Në kohën e sundimit të nacionalistëve, siç është VMRO-DPMNE, shteti e ndihmon KOM-in, ndihmë kjo e qartë, direkte dhe demonstrative”, thotë gazetari Sasho Ordanoski. Në FB-në zyrtare të kësaj partie gjejmë fjalinë propaganduese: “Feja në mendime, Maqedonia në shpirt, VMRO-DPMNE në zemër (ВЕРАТА во мислите, МАКЕДОНИЈА во душата, ВМРО-ДПМНЕ во срцето)”. Nikica Korubin (2024) këtë korrent politik e ka quajtur “sekularizëm ‘kristian’” që desakralizon Jeni Xhaminë duke e shndërruar në muze, ndërsa nuk e merr guximin që kishën Shën Klementi dhe Pantelejmoni ta bëjë muze të trashëgimisë kristiane dhe islame që do të reflektonte mutikulturalitetin dhe multikonfesionalitetin e shoqërisë tonë.
Dhe, rasti i fundit “Peugeot 407”, gjegjësisht i ritit të spërkatjes së veturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme nga një klerik është një veprim tjetër që përbën shkelje të parimit të sekularitetit të sanksionuar me aktin më të lartë legal në shtet. Ngatërrimi i dyshes shtet-fe i ngjan abuzimit të dikurshëm me fenë nga establishmeti ultra-nacionalist serb që kishën e kishte pranë dhe pro-vetes “Në fillim të viteve nëntëdhjetë popat (priftërinjtë) serbë patën “bekuar” hapjen e pishinës së Prishtinës…Dje një pop maqedonas “bekoi” limuzinat (veturat) e policisë…!” (Xhezairi, 2026)
Në kontekstin tonë, më të vjetrit ende i kanë të gjalla pamjet e bekimit të policëve nga priftërinjtë pas aksionit lemeritës “Gostivari 1997”. Para disa viteve Gruevski hodhi gurthemelet edhe për garazhat në kate në Shkup shoqëruar me lutje fetare ortodokse; rit të ngjashëm u krye edhe te një çerdhe në Radishan në korrik të vitit 2015, te një një sallë sportive në vitin 2016 në Makedonska Kamenicë e të ngjashme. “Në mes të krizës së Covid-it në vitin 2020, në Kavadar ndodhi një rast i pazakontë kur priftërinjtë e qytetit pasi mbajtën një liturgji kundër virusit Corona, hipën mbi një automjet të hapur dhe spërkatën qytetin me ujë të bekuar.” (ina-online.net)
Mund të konstatohet se në Maqedoninë e Veriut, shteti është sekular, ndërkohë që shënohen veprime prokristiane të instancave shtetërore, pa neutralitet ndaj bashkësive fetare. Parimi i shtetit jashtëfetar është shumë i rëndësishëm në veçanti në shoqëritë shumëfetare, sepse fetarizimi i njëanshëm i institucioneve nënkupton përjashtimin e entiteteve të tjera fetare. Individi mund të jetë fetar, por shteti duhet të jetë mbifetar. Çdokush mund të besojë, ta shprehë besimin e vet në jetën e tij, por pa vulosje të institucioneve me bindjet e veta.
Çfarë do të ndodhte sikur nesër një zyrtar policor në veturë zyrtare vendos tespihët, ngjet pikturë të vendeve të shenjta islamike? Si do të ndjehej një afetar kopilot në të njëjtin automjet? Policia është e qytetarëve jo e partive apo e aksh bashkësisë fetare. Përfaqësimi është barrë dhe simbolikë shoqërore. Sekulariteti është mbrotje e sheshit publik nga ajo që D.J. Theroux e ka quajtur “religious violence” (dhunë fetare). Në shoqëritë shumëkulturore animi i shtetit kah një fe shpie në “luftë të fraksioneve fetare kundër njëra-tjetrës” (Sullivan).
Individi dhe qytetaria fetare kanë rrjedhime shoqërore pozitive, por imponimi i fesë ose i një feje nga lart është anakronizëm dhe kundërsociabilitet. Nga ana tjetër, duhet patur kujdes edhe ndaj ekstremizmit sekular ose religjionit të laicitetit ose të politikës që ngulfat përshpirtshmërinë si nevojë substanciale të qenies njerëzore. Shteti nuk duhet të zhvillojë as politika teiste as ateiste, por qytetare.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.