Saubermacher Tetovë ‘kërcënon’ qytetarët: Nëse nuk i paguani faturat, nga korriku do përfundoni në noter

Kompania Saubermacher e cila bën grumbullimin e mbeturinave në Tetovë, sot ka njoftuar se nga muaji korrik 2026 do të fillojë procedurën për pagesë të detyrueshme për obligimet e papaguara të maturuara (vonuara), përmes procedurës noteriale, transmeton Portalb.mk.

“Kompania u bën apel të gjithë përdoruesve që kanë obligime të papaguara sipas faturave të lëshuara, që t’i shlyejnë ato në afatin më të shkurtër të mundshëm. Në këtë mënyrë mund të shmanget fillimi i procedurës si dhe kostot shtesë që lidhen me zbatimin e saj”, thonë nga Saubermacher.

Pagesa e faturave mund të bëhet në zyrën në Pallçisht, zyrën në Tetovë, zyrën e NPK Tetova ose përmes ueb-faqes së Saubermacher ose aplikacionit në telefon.

Kujtojmë se në prill 2026, shumica në Këshillin Komunal të Tetovës e përbërë nga VLEN dhe VMRO-DPMNE miratuan vendim me të cilin mundësuan rritjen e çmimit e faturave të mbeturinave.

Kujtojmë që Komuna e Tetovës me 10 nëntor 2023 nënshkroi marrëveshje për partneritet publiko-privat me kompaninë sllovene të grupacionit “Saubermacher” menaxhimin e mbeturinave në Tetovë. 

Si rezultat i kësaj, u ndryshua edhe metodologjia e pagesës dhe çmimet e faturave u rritën.

Nga atëherë disa qytetarë u dërguan te noteri për mosshlyerje të faturave, ndërkohë që vetë qytetarët ankoheshin se nuk kishin pranuar fare fatura.