Pesë persona dhe dy subjekte akuzohen për mashtrim mbi 800 mijë euro nga fondet IPARD

Drejtoria e Policisë Financiare ka dorëzuar kallëzime penale kundër pesë personave fizikë dhe dy personave juridikë në prokuroritë kompetente publike në Shkup, për shkak të dyshimeve për disa vepra penale që lidhen me keqpërdorim të pozitës zyrtare, falsifikim të librave afaristë dhe përdorim të dokumenteve me përmbajtje të pavërteta, transmeton Portalb.mk.

Sipas pretendimeve, të denoncuarit, në cilësinë e inxhinierëve mbikëqyrës, kanë përgatitur raporte përfundimtare me të dhëna të pasakta për objekte të papërfunduara, duke mundësuar regjistrimin e tyre në Kadastër si objekte të përfunduara.

“Në këtë mënyrë, personat juridikë kanë krijuar kushte që dokumentacioni të përdoret si bazë për procedura të mëtejshme”, thotë Policia Financiare.

Me këto veprime, sipas hetimit, është mundësuar përfitimi i kundërligjshëm pasuror përmes pagesës së mjeteve nga Programi për Zhvillim Rural në kuadër të IPARD 2021–2027, në vlerë të përgjithshme prej 50.141.528 denarësh, apo rreth 813 mijë euro.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë ku në Maqedoninë e Veriut u hapën hetime për keqpërdorim të fondeve IPARD.

Vitin e kaluar, pesë persona u arrestuan nën dyshimin për ryshfet, ndikim të paligjshëm dhe mashtrim me fondet IPARD. Sipas hetimeve, drejtori i Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dyshohet se ka nënshkruar marrëveshje të kundërligjshme, duke u premtuar fonde kompanive që nuk plotësonin kriteret, në këmbim të dhuratave të majme, një prej tyre në shumën prej 50.000 eurosh. Tre ndërmjetës, mes tyre edhe zyrtarë shtetërorë, dyshohet se ushtruan ndikim të jashtëligjshëm për të mundësuar vendimin. Gjatë bastisjeve u gjetën fonde të konsiderueshme, duke konfirmuar dyshimet për korrupsion sistemik.

Pavarësisht këtij rasti, Maqedonia e Veriut përsëri do të mund të shfrytëzojë fondet e programit IPARD.