U mbajt takimi i parë i grupit punues për projektin Tetovë – Prizren

Përfaqësues të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Kosovës në kuadër të grupit punues për projektin Tetovë – Prizren, sot kanë zhvilluar takimin e parë për të diskutuar rreth fazave të projektit, transmeton Portalb.mk.

“Gjatë takimit u diskutuan hapat konkretë për realizimin e projektit, përfshirë definimin e fazave të ardhshme të punës dhe koordinimin ndërinstitucional të nevojshëm për të përshpejtuar procesin. U theksua rëndësia e projektit jo vetëm si një lidhje rrugore, por si një urë bashkëpunimi ekonomik, social dhe rajonal ndërmjet dy vendeve”, njoftuan nga Ministria për Transport në Maqedoninë e Veriut.

Në takim ndër të tjera u theksua edhe nevoja për përshpejtimin e procedurave burokratike.

“Zhvillimi i këtij projekti do të vazhdojë me ritme të përshpejtuara dhe me përkushtim të plotë institucional”, njoftuan nga Ministria.

Në muajin prill u formua grupi i përbashkët i punës midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për rrugën Tetovë – Prizren. Nga Maqedonia e Veriut anëtarët e grupit të punës janë: Kaltrina Zekolli Shaqiri – zëvendësministre e Transportit, Magdalena Çurliov – këshilltare e ministrit të Transportit, Ragip Doçi – këshilltar i ministrit të Mjedisit, Aleksandar Stojanov – këshilltar në Ndërmarrjen për Rrugë Shtetërore dhe Arsim Qoku – udhëheqës i sektorit për Investime me fonde nga IFI dhe BE-ja në Ndërmarrjen Publike për Rrugë Shtetërore.

Më 23 janar 2025 zëvendësdrejtori i Rrugëve Shtetërore Nazim Taipi përmes një njoftimi tha se “Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore ka përfshirë në programin e vitit 2025 Rrugën Tetovë – Prizren (fillimi i procedurave për projektin). 

Kujtojmë që më 9 janar 2025 edhe kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami tha se në vitin 2025 do të shpallet tenderi për projektimin e tunelit. 

Në Kosovë me 13 gusht 2024 filluan punimet për rrugën Prizren – Tetovë. Paraprakisht me 2 gusht 2024 Kosova nënshkroi kontratat për realizimin e punimeve për këtë projekt. Ndërsa më 23 maj 2024 në Kuvendin e Republikës së Kosovës u miratua propozimi për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëfinancimin e punimeve në rrugën Tetovë – Prizren.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Shkup në janar 2024 , vetëm për finalizimin e dokumenteve për projektimin e tunelit që do ta lidh këtë rrugë do të duhen një vjet e gjysmë, që do të thotë deri në mes të vitit 2026.

18 muaj është afati për kompletimin e dokumentacionit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Tetovë – Prizren, ndërkaq financimi i ndërtimit të tunelit do të bëhet në vlerë proporcionale, sipas gjatësisë së tunelit në territorin e secilës anë. Kjo mes tjerash është e përfshirë në marrëveshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren, të cilën Portalb.mk e publikoi ekskluzivisht.

Aktualisht prej Tetovës në Prizren, rruga është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra, gjegjësisht kjo rrugë do të jetë e gjatë 40.6 kilometra.

Kjo rrugë në të kaluarën është premtuar në shumë cikle zgjedhore në RMV, por pa realizim deri më tani.